Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Të pashembulltat e Trumpit fusin SHBA-në në territor të paeksploruar

Presidenti Donald Trump do të shënohet në histori si presidenti i vetëm amerikan që shkarkohet dy herë nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe po ashtu si i vetmi që mund të gjykohet në Senat faktikisht pas përfundimit të mandatit zyrtar

Washington, 14 janar (Reuters) – Amerika do të futet në një territor të paeksploruar, kur Senati do të mblidhet gjatë javës së ardhshme për gjykimin e shkarkimit të Donald Trumpit, të parit president në historinë e Shteteve të Bashkuara që edhe shkarkohet për të dytën herë, por edhe do të përballet me gjykimin e ligjvënësve pas largimit nga detyra.

Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar të mërkurën për shkarkimin e Trumpit rreth akuzave të nxitjes së kryengritjes, kur mbështetësit e tij iu vërsulën Capitolit pasi që republikani i shtyri gjatë një fjalimi që ta luftonin fitoren elektorale të presidentit të zgjedhur, Joe Biden. Trumpi me këtë rast pretendoi pa fakte se ka humbur në garën e 3 nëntorit me anë të mashtrimeve të gjithmbarshme me vota.

Në një debat emocional para kalimit të rezolutës së shkarkimit me 232 vota për dhe 197 kundër, dhjetë republikanë iu bashkuan shumicës demokrate në mbështetje të shkarkimit. Shumë republikanë u dolën në mbështetje vlerësimeve të Trumpit, duke i cilësuar si të mbrojtura me Amendamentin e Parë të Kushtetutës që garanton liri të shprehjes.

Shkarkimi i ngutshëm, një javë pas protestave, ka shumë pak gjasa që të shpjerë në largimin e Trumpit nga detyra para se Bideni ta marrë postin më 20 janar. Lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell, ka refuzuar thirrjet e demokratëve për një gjykim të shpejtë në Senatin me shumicë republikane, duke thënë se nuk ekziston ndonjë mundësi për të përkuar me afatin kohor. Por edhe nëse ai largohet deri atëherë nga Shtëpia e Bardhë, Senati mund ta dënojë Trumpin dhe të votojë më pastaj për t’ia ndaluar atij përhershëm kandidimin për postin.

Inaugurimi nën hijen e trazirave

Edhe Fati i Trumpit të shkarkuar për së dyti, në duart e Senatit Botë Fati i Trumpit të shkarkuar për së dyti, në duart e Senatit

Demokrati Biden ka nxitur liderët e Senatit që ta shmangin gjykimin gjatë ditëve të para të tij në Shtëpinë e Bardhë, në mënyrë që të mund të fokusohen në ekonomi, në avancimin e programit të distribuimit të vaksinave kundër koronavirusit dhe konfirmimin e të emëruarve kyç në kabinetin e tij.

Refuzimi i Trumpit për ta pranuar disfatën dhe votimet për Senat në Georgia javën e shkuar kanë vonuar procesin e konfirmimit të të emëruarve kryesorë, i cili rëndom ndodh para se një president i ri ta japë betimin.

“Shpresoj që udhëheqja në Senat do ta gjejë mënyrën për t’i jetësuar përgjegjësitë kushtetuese rreth shkarkimit teksa angazhohet gjithashtu në çështjet e tjera urgjente të këtij kombi”, ka thënë Bideni gjatë së mërkurës.

Inaugurimi i tij është kufizuar si pasojë e shqetësimeve të sigurisë dhe pandemisë së COVID-19. Krahu Perëndimor i ndërtesës së Capitolit, ku rëndom bëhen betimet, tani është i fortifikuar me rrethoja, pengesa dhe me mijëra trupa të Gardës Kombëtare.

Neni i shkarkimit – ekuivalent ky i një padie në një gjykim kriminal – e ngarkoi Trumpin për “nxitje të kryengritjes” me anë të fjalimit të tij ndezës para mijëra mbështetësve, pak para trazirave. Turma pengoi certifikimin në Kongres të fitores së Bidenit, dërgoi ligjvënësit në strehime të sigurta dhe la të vdekur pesë persona, përfshirë një polic.

Mbrojtja me Amendamentin e Parë

Sipas Kushtetutës, shkarkimi në Dhomë i hap rrugën një gjykimi në Senat. Do të duhej shumica prej dy të tretash për dënimin dhe largimin e Trumpit, që do të thotë se të paktën 17 republikanë në Dhomën prej 100 anëtarësh do të duhej t’u bashkoheshin demokratëve.

McConnell ka thënë se kurrfarë gjykimi nuk mund të fillojë derisa Senati të mos u rikthehet seancave të rregullta të martën.

Nëse deri atëherë Trumpi veçse largohet nga Shtëpia e Bardhë, precedenti historik sugjeron se Senati mund ta diskualifikojë nga mbajtja e detyrës në të ardhmen vetëm me votën e shumicës së thjeshtë.

Edhe Dhoma e Përfaqësuesve e kalon shkarkimin historik të Trumpit Botë Dhoma e Përfaqësuesve e kalon shkarkimin historik të Trumpit

Në gjykim, ekipi ligjor i Trumpit mund të argumentojë se komentet e tij para mbështetësve më 6 janar nuk ishin thirrje për dhunë, dhe mbrohen nga e drejta për shprehje të lirë e garantuar me Amendamentin e Parë, argumentojnë ekspertët ligjorë.

Ata kanë thënë sidoqoftë se të gjitha llojet e retorikës ligjore mund të jenë bazë e mjaftueshme për shkarkim dhe se Kongresi ka liri veprimi për ta definuar “kryengritjen” ashtu siç e sheh të përkueshëm në procesin e shkarkimit.

“Edhe nëse ky fjalim ishte i mbrojtur nga Amendamenti i Parë, ai prapëseprapë mund të shkarkohet për të”, ka thënë Ilya Somin, profesor i së drejtës në Universitetin George Mason. “Zyrtarë të rangut të lartë shkarkohen për fjalimet e tyre, tërë kohës”.

Ekipi i Trumpit mund po ashtu të argumentojë se mbajtja e gjykimit për shkarkim, pas largimit të tij nga detyra, do të përbënte shkelje të Kushtetutës. Por Kongresi ka precedent me shkarkimin e ish-zyrtarëve federalë dhe Kushtetuta e thotë në mënyrë eksplicite se shkarkimi nuk ka të bëjë vetëm me largimin e zyrtarëve, por edhe me diskualifikimin e tyre nga mbajtja e posteve në të ardhmen, kanë thënë ekspertët.

Debat emocional

Debati emocional i së mërkurës ka ndodhur në të njëjtën sallë të Dhomës, ku ligjvënësit javën e kaluar ishin shtrënguar të fshiheshin nën karrige dhe të vendosnin gazmaska teksa protestuesit po përlesheshin me policinë para dyerve.

Disa republikanë kanë argumentuar se iniciativa për shkarkim ka qenë një veprim i ngutshëm, që ka anashkaluar qëllimshëm procedurat e rëndomta dhe u kanë bërë thirrje demokratëve që të heqin dorë nga përpjekja në emër të unitetit kombëtar. Mes republikanëve që votuan në favor të shkarkimit ishte Liz Cheney, republikania numër tre në Dhomë.

Dhoma e kishte shkarkuar Trumpin edhe në dhjetor të 2019-s, nën akuzat për abuzim me detyrën dhe pengim të punimeve në Kongres, duke u bazuar në kërkesën e tij që Ukraina t’i hetonte Bidenin dhe të birin e tij, Hunter. Asokohe, demokratët e akuzuan për kërkesën e ndërhyrjes së një shteti të huaj me qëllim të njollosjes së një rivali të brendshëm politik. Senati votoi në shkurt të 2020-s për mbajtjen e Trumpit në detyrë.

Edhe Senati voton për ta çuar përpara gjykimin historik ndaj Trumpit Botë Senati voton për ta çuar përpara gjykimin historik ndaj Trumpit

Asnjë president amerikan nuk është larguar kurrë më parë nga detyra nëpërmjet shkarkimit. Bill Clintoni ishte shkarkuar më 1998 dhe Andrew Johnsoni më 1868, por që të dy ishin shfajësuar më vonë në Senat.

Richard Nixoni kishte dhënë dorëheqje më 1974, përpara se të ballafaqohej me shkarkim për skandalin “Watergate”.