Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Të paktën tre të vdekur nga përmbytjet në Haiti

Të paktën tre persona kanë vdekur në Haiti si pasojë e përmbytjeve që rezultuan nga dy ditë reshjesh të dendura shiu.

Sipas kreut të autoritetit të mbrojtjes civile të vendit, numri i të vdekurve është raportuar të martën, disa orë pasi ekipet e shpëtimit filluan evakuimin e njerëzve në zonat me rrezik të lartë, ku mijëra shtëpi janë përmbytur dhe rreth 2,500 familje janë zhvendosur.

Autoritetet njoftuan se të paktën 20 rrethe në të gjithë Haitin janë prekur nga moti i keq.

“Ne kemi 3 viktima dhe një person të zhdukur”, tha drejtori i mbrojtjes civile, Jerry Chandler, për Reuters, raporton Al Jazeera.

Autoritetet thanë se stuhia ka prekur zonat që ende po përpiqen të rikuperohen nga një tërmet me magnitudë 7.2 që goditi këtë vend në gusht, si pasojë e së cilit vdiqën më shumë se dy mijë njerëz.