Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Të paktën nëntëmbëdhjetë persona humbën jetën në një aksident në Rusi

Një autobus ka rënë nga ura, duke lënë të vdekur 19 persona. Autobusi që po udhëtonte nga qyteti Sretensk drejt Chitas, ka rënë në lumin e ngrirë Kuenga, 6 mijë kilometra në lindje të Moskës.

Autoritetet në Rusi kanë thënë se në momentin e aksidentit, në autobus ishin 43 udhëtarë.

Mediat kanë njoftuar se autobusi ka humbur kontrollin dhe ka rënë nga ura për shkak se njëra rrotë e tij doli nga vendi.

Ekipet e shpëtimit kanë tentuar që me shpejtësi t’i nxjerrin të mbijetuarit nga autobusi i cili ka filluar të fundoset shkaku i plasaritjes së akullit, raporton Reuters, transmeton KTV.

Siguria e rrugëve në Rusi është një prej më të këqijave në botë. Sipas policisë, vetëm gjatë vitit të kaluar, 18 mijë e 214 njerëz kanë vdekur nëpër aksidente rrugore.

Ky numër, sa për krahasim, është më i madh sesa numri i ushtarëve rusë që vdiqën në Luftën e Afganistanit, gjatë viteve 1979-1989, e që ishte 15 mijë.