Një sulm iranian me dron që synonte bazat e një grupi opozitar iraniano-kurd në Irakun verior, të mërkurën, la të vdekur të paktën nëntë persona dhe të plagosur 32 të tjerë, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë e Qeverisë Rajonale Kurde.
Sulmet u zhvilluan ndërsa demonstratat vazhduan në Republikën Islamike pas vdekjes së Mahsa Amini, një gruaje kurde iraniane 22-vjeçare, e cila u arrestua nga policia morale iraniane dhe më pas vdiq në rrethana të paqarta, raportoi Associated Press të mërkurën.
Sulmet e Iranit kishin në shënjestër vendin e quajtur Koya, rreth 65 kilometra në lindje të Irbilit, tha Soran Nuri, një anëtar i Partisë Demokratike të Kurdistanit iranian. Grupi, i njohur me akronimin KDPI, është një forcë opozitare e armatosur e majtë e ndaluar në Iran.
Ministria e Jashtme e Irakut dhe qeveria rajonale e Kurdistanit i kanë dënuar sulmet.
Agjencia shtetërore e lajmeve dhe transmetuesi iranian IRNA thanë se Garda Revolucionare e vendit shënjestroi bazat e një grupi separatist në veri të Irakut me "raketa precize" dhe "dronë vetëvrasës".