Botë

Të paktën 39 të vdekur nga aksidentimi i një autobusi me migrantë në Panama

Të paktën 39 migrantë kanë vdekur në një aksident të tmerrshëm autobusi në Panama.

Aksidenti raportohet të kenë ndodhur pas udhëtimit për ditë të tëra nëpër xhunglat jugore të Amerikës Qendrore, në rrugën e tyre për një jetë të re në Shtetet e Bashkuara.

Aksidenti ndodhi në orët e para të së mërkurës, ndërsa një kolonë autobusësh udhëtonte nga kufiri i Panamasë me Kolumbinë, drejt një qendre pritjeje emigrantësh pranë qytetit të Gualacas, raportoi The Guardian.

"Ne jemi në një situatë katastrofe”, u tha gazetarëve Katherine Guerra, shefe e departamentit të urgjencës në një spital në qytetin e Davidit, ndërsa të mbijetuarit u dërguan me urgjencë atje me fraktura të ekspozuara dhe lëndime të rënda të barkut.

"Kishte familje, fëmijë, foshnja të porsalindura, gra të moshuara," i tha gazetës “La Estrella de Panamá” një migrant venezuelian që ishte në vendngjarje.

Presidenti i Panamasë, Nito Cortizo, tha se ekipet qeveritare po punonin "me mundim" për të ndihmuar të mbijetuarit.

“Ky është një lajm i mjerueshëm për Panamanë dhe rajonin", ka shkruar Cortizo në Twitter.