Është zor të përshkruhet se sa e ka shkundur publikun rus pas luftës në Ukrainë, rrëfimi i dy pilotëve rusë të dronave, të njohur me nofkat Ernest dhe Goodwin. Në shtator të 2024-s ata ekspozuan korrupsionin e komandantit të tyre, për çka më pas u dërguan në një mision të vetëvrasjes.
Vdekja e tyre pati nxitur diskutime të ashpra në kanalet pro luftës në Telegram. Madje Kremlini u detyrua të reagonte. Por komandanti Igor Puzik, burri që i çoi në misionin drejt vdekjes, vazhdon të udhëheqë i heshtur dhe paraqitet edhe në televizionin publik si një zyrtar shembull, ka shkruar “Foreign Policy”.
Tani në mesin e ushtarëve rusë është futur një shprehje që ka marrë kuptim të pazakontë - “Puzikovschina”. Kjo shprehje është bërë simbol i gjithçkaje që po shkon keq në ushtrinë ruse: pandëshkueshmërinë, paaftësinë dhe tradhtinë nga vetë njerëzit e vet.
Termi është bërë simbol i thyerjes së besimit mes komandantëve dhe ushtarëve të zakonshëm. Në disa grupe në Telegram ka pasur deklarata nga ushtarët që kanë thënë se të saporekrutuarve u është premtuar kontratë njëvjeçare, por në realitet do të detyrohen të shërbejnë në ushtri për periudhë të pakufizuar.
Gjeneralët janë kthyer në simbol përbuzjeje. Aleksandr Lapin madje i pati dhënë medalje të birit të tij, edhe pse trupat e tij po tërhiqeshin nga Kharkivi. E koloneli Rustam Muradov, i njohur për ofensivat në Vuhledar, tani është simbol i dështimit. Të gjitha këto, sipas ushtarëve rusë, për shkak të korrupsionit në vendimet ushtarake. Ky sistem, sipas rusëve, ka çuar në humbjen e rreth 350 mijë rusëve e jo 135 mijë që dihet publikisht. E pos humbjeve të mëdha në fushëbetejë në Ukrainë, raportohet po ashtu se është rritur ndjeshëm edhe numri i ushtarëve që po dezertojnë.
Si pasojë e këtyre ngjarjeve, edhe blogerë të njohur me qëndrime pro-luftës, si Roman Saponkov, kanë paralajmëruar se pa ndëshkim të njerëzve si Puziku, mobilizimi s’do të ketë sukses dhe se besimi në sistemin aktual ushtarak nuk mund të rikthehet.