Botë

Të djathtët ekstremë, vendimtarë për qeverinë e re të Suedisë

Tri partitë e qendrës së djathtë në Suedi kanë arritur marrëveshje për formimin e koalicionit qeverisës që nuk do t’i përfshijë edhe demokratët kundër imigracionit, por do të varen nga përkrahja e tyre në Parlament.

Ujdia është arritur një muaj pas zgjedhjeve të 11 shtatorit, në të cilat demokratët, parti me qëndrime të djathta ekstreme në Suedi, siguruan pozitë me ndikim në politikën suedeze.

Demokratët e krahut të djathtë ekstrem do të mbesin jashtë Qeverisë, por nga jashtë do të kenë ndikim të madh në miratimin e ligjeve dhe politikave suedeze.

Që nga e premtja, koalicioni i qendrës së djathtë do të varet tërësisht nga përkrahja e demokratëve për të siguruar shumicën në Parlament.

Kryetari i demokratëve të së djathtës ekstreme, Jimmie Akesson, ka thënë se do të preferonte një ulëse në Qeveri, por ka përkrahur marrëveshjen me të cilën do të ketë ndikim të madh në politikat e imigracionit dhe drejtësisë penale.

Suedia së bashku me Gjermaninë ishin dy prej vendeve evropiane më mirëpritëse për refugjatët nga lindja e Mesme dhe Afrika në krizën e madhe të vitit 2015 që detyroi shtrëngimin e masave ndaj imigrimit.