Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

T: Talebanët ndalojnë përdorimin e valutave të huaja në Afganistan

Talebanët kanë ndaluar përdorimin e valutave të huaja në Afganistan, një lëvizje që më tepër mund të çrregullojë një ekonomi që është në prag të kolapsit, raporton BBC.

“Situata ekonomike dhe interesi nacional në shtet kërkon që të gjithë afganët të përdorin valutën afgane në çdo tregti”, kanë thënë talebanët.

Ekonomia në Afganistan është buzë kolapsit për shkak të tërheqjes së përkrahjes financiare ndërkombëtare, pasi që talebanët kanë marrë nën kontroll vendin.

Dollarin amerikan është përdorur gjerësisht nëpër tregjet në Afganistan. Dollarët përdoren shpesh edhe për tregti në zonat në kufi me shtetet fqinje të Afganistanit, si Pakistan.

“Emirati Islamik udhëzon të gjithë qytetarët, shitësit, tregtarët, biznesmenët dhe publikun e gjerë që tani e tutje të kryejnë të gjitha transaksionet në valutën afgane dhe të përmbahen rreptësishtë nga përdorimi i valutave të huaja. Kushdo që shkel këtë urdhër do të përballet me masa ligjore”, thuhet në komunikatën e zëdhënësit të talebanëve, Zabinullah Mujahid.