Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Talibanët marrin nën kontroll vendkalimin kufitar kyç me Iranin

Talibanët kanë marrë nën kontroll një vendkalim të madh kufitar midis Afganistanit dhe Iranit, thonë zyrtarët afganë.

Disa pamje të publikuara kanë treguar sesi forcat e talibanëve e heqin flamurin afgan nga çatia e zyrës doganore kufitare.

Vendkalimi kufitar - Islam Qala - është një nga pikat doganore më të mëdha me Iranin, që siguron rreth 20 milionë dollarë të ardhura mujore për qeverinë, raporton BBC.

Talibanët po shtrijnë kontrollin me shpejtësi në të gjithë Afganistanin derisa forcat e huaja përfshirë ato të Shteteve të Bashkuara po largojnë edhe ushtarët e fundit nga ky vend. Llogaritet se talibanët tani kontrollojnë më shumë se një të tretën e 400 qarqeve të vendit.

Misioni ushtarak 20-vjeçar i SHBA-së dhe NATO-s në Afganistan po mbaron, por dhuna në këtë vend vazhdon të përshkallëzohet, pasi çdo ditë raportohet për luftime mes forcave qeveritare dhe talibanëve.