Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Talebanët paralajmërojnë: Do t’i rikthejmë ekzekutimet dhe amputimet

Njëri prej themeluesve të talebanëve dhe zbatuesi kryesor i interpretimit të ashpër të ligjit islam kur ata sunduan për herë të fundit Afganistanin, ka deklaruar se do të rikthehen ekzekutimet dhe amputimet e duarve në Afganistan, ndonëse jo në publik.

Në një intervistë për Associated Press, Mullah Noorduddin Turabi, ka hedhur poshtë zemërimin për ekzekutimet që kryenin talebanët në të kaluarën, të cilat shpeshherë bëheshin para masave të mëdha nëpër stadiume, ndërkohë që ka paralajmëruar botën që të mos ndërhyjë në rregullat e reja të Afganistanit.

“Të gjithë na kanë kritikuar për ndëshkimet në stadium, por ne asnjëherë nuk kemi thënë asgjë për ligjet dhe ndëshkimet e tyre”, ka thënë Turabi gjatë intervistës.

“Askush nuk mund të na tregojë ne se si duhet të jenë ligjet tona. Ne do të ndjekim Islamin dhe ne do të bëjmë ligjet tona duke u bazuar në Kuran”, ka shtuar ai.

Që kur talebanët kanë marrë në dorë Kabulin, më 15 gusht të këtij viti, afganët dhe bota kanë pritur për të parë nëse ata do të rikthejnë rregullat e tyre të ashpra të viteve 1990.