Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Talebanët dënojnë vrasjen e udhëheqësit të Al-Qaedas nga SHBA-ja

Pasi forcat amerikane vranë liderin e Al-Kaidës, Ayman al-Zawahiri në një sulm me dron në Kabul, përfaqësuesit e lëvizjes talebane e dënuan sulmin brenda territorit afgan, shkruan CNN.

Në një deklaratë të publikuar nga zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, thuhet se sulmi me dron amerikan ka shkelur parimet ndërkombëtare dhe marrëveshjen e nënshkruar në Doha mes talebanëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 2020.

"Sulmi është një shkelje e qartë e parimeve ndërkombëtare dhe marrëveshjes së Dohas. Aktivitete të tilla janë një përsëritje e veprimeve të pasuksesshme të 20 viteve të fundit dhe janë kundër interesave të SHBA-së, Afganistanit dhe rajonit", ka thënë Mujahid.

Sulmi në të cilin u vra lideri i Al-Kaidës është gjithashtu sulmi i parë i ushtrisë amerikane në territorin e Afganistanit që kur talebanët morën pushtetin në gusht të vitit 2021.

Mujahid gjithashtu theksoi se një sulm i ri i mundshëm i ushtrisë amerikane në territorin e Afganistanit në të ardhmen do të dëmtojë situatën në këtë vend pikërisht sepse talebanët, me marrjen e pushtetit, theksuan se territori i Afganistanit nuk do të përdoret për asnjë aktivitet kundër një kombi tjetër.