Botë

Talebanët “arsyetohen” për ndalimin e grave nga universitetet: Visheshin si në dasma

Ministri i Arsimit të Lartë në qeverinë e talebanëve ka mbrojtur vendimin për ndalimin e grave nga universitetet – dekret që ka nxitur reagim ndërkombëtar.

Ministri Nida Mohammad Nadim ka thënë se ndalimi ishte i domosdoshëm për të parandaluar përzierjen e gjinive në universitete dhe sepse ai beson se disa lëndë që mësoheshin shkelnin principet e islamit. Ai ka shtuar se ndalimi është në fuqi deri në një njoftim tjetër.

Nadim ka deklaruar se të huajt duhet të ndalojnë ndërhyrjen në punët e brendshme të Afganistanit, raportoi AP.

Nadim kundërshton edukimin e grave duke thënë se është kundër vlerave islamike dhe afgane.

Një tjetër arsye që ai dha për ndalimin e universiteteve ishte mosrespektimi i kodit të veshjes nga gratë.

“U kemi thënë vajzave që të mbajnë hixhab të duhur, por ato nuk e kanë bërë këtë dhe kanë veshur fustane sikur po shkonin në një dasmë”, ka thënë ai.

Ka shtuar se po punohej për të rregulluar këto çështje dhe se universitetet për gratë do të rihapeshin sapo të zgjidheshin këto çështje.