Botë

Takimi Biden-Johnson: Afirmohen lidhjet mes dy vendeve

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë të enjten se ka pasur një takim shumë produktiv me kryeministrin britanik, Boris Johnson, dhe se kanë diskutuar për një sërë çështjesh.

Në deklarimin para gazetarëve në Cornwall të Anglisë, ai ka afirmuar marrëdhëniet e veçanta midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.

Ndërkaq mes çështjeve të diskutuara midis dy liderëve ishte edhe ajo për ujdinë tregtare pas Brexitit, që e prek Irlandën Veriore.

Biden raportohet se i ka përçuar Johnsonit mesazhin që të shmang përplasjen me Bashkimin Evropian, e cila do ta rrezikonte paqen e brishtë në Irlandën Veriore.

Duke folur pas takimit me Bidenin, kryeministri britanik ka bërë të ditur se marrëdhëniet e mira midis Amerikës Veriore dhe Evropës janë të rëndësishme për “prosperitetin dhe sigurinë” në botë.

Ka shtuar se Britania është “në harmoni të plotë” me SHBA-në dhe Evropën për ruajtjen e Marrëveshjes së të Premtes së Mirë në Belfast.

Para kësaj, dy liderët, të shoqëruar nga bashkëshortet e tyre, kanë bërë një shëtitje përgjatë Cornwallit, në prag të nisjes së samitit të G7-s, të premten.