Botë

Tajlanda e Kamboxhia vazhdojnë sulmet, pavarësisht thirrjeve të Trumpit për armëpushim

Tajlanda e Kamboxhia

Autoritetet e Kamboxhias dhe Tajlandës kanë akuzuar njëra-tjetrën të dielën, se secila palë ka lansuar sulme me artileri në zonat e kontestuara kufitare, vetëm disa orë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, pati deklaruar se udhëheqësit e të dyja vendeve kishin rënë dakord të punonin për marrëveshjen e armëpushimit.

Udhëheqësit kamboxhian kishin theksuar një ditë më parë se e mbështesin plotësisht thirrjen e Trumpit për armëpushim të menjëhershëm. E nga ana tjetër, zyrtarët tajlandezë kanë pretenduar se, pavarësisht respektit për presidentin amerikan, nuk mund të fillonin bisedimet ndërkohë që Kamboxhia po shënjestronte civilët e saj.

“Kushti ynë është që ne nuk duam që një vend të tretë të ndërmjetësojë, por jemi mirënjohës për shqetësimin e tij (Trumpit)”, ka thënë kryeministri në detyrë i Tajlandës, Phumtham Wechayachai, para gazetarëve, përpara se të nisej për të vizituar zonat kufitare.

“Ne kemi propozuar takim dypalësh mes ministrave tanë të Jashtëm për të përfunduar kushtet e një armëpushimi dhe tërheqjes së trupave dhe armëve me rreze të gjatë”, ka thënë ai.

Zyrtarët kamboxhianë kanë thënë se forcat tajlandeze janë ato që po mobilizoheshin përgjatë kufirit.

Ndërkaq, Bangoku zyrtar ka njoftuar se është kundëpërgjigjur ndaj sulmeve të Kamboxhias.

“Ia kam bërë të qartë presidentit Donald Trump se Kamboxhia është dakord me propozimin për një armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte midis dy forcave të armatosura”, ka shkruar kryeministri kamboxhian, Hun Manet, në rrjetin social Facebook , tek ka theksuar se kishte rënë dakord edhe me propozimin e mëparshëm të Malajzisë për armëpushim.

Katër ditë pas përleshjeve më të rënda në më shumë se një dekadë mes fqinjëve të Azisë Juglindore, bilanci i të vdekurve ka shkuar në mbi 30, prej tyre 13 civilë në Tajlandë dhe tetë në Kamboxhia.

E sipas autoriteteve, më shumë se 200,000 persona janë evakuuar nga zonat kufitare në të dyja vendet.