Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Super të pasurit në Amerikë “s’paguajnë gati fare taksa”

Detajet të publikuara nga një uebfaqe kanë treguar se miliarderët më të pasur amerikanë paguajnë shumë pak taksa në të ardhura. “ProPublica” ka raportuar se i ka parë taksat që kanë paguar të pasurit, përfshirë Jeff Bezosin, Elon Muskun e Warren Buffetin.

Uebfaqja thekson se Bezos i Amazonit në periudhën 2007-2011 s’ka paguar fare taksa, ndërsa Musk i Teslas s’pagoi asgjë më 2018.

Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë e ka quajtur “ilegal” publikimin, ndërsa FBI-ja dhe autoritetet shtetërore janë duke kryer hetime.

“ProPublica” ka thënë se i ka analizuar të gjitha të dhënat, teksa ka paralajmëruar publikime të reja.

Sipas saj, 25 amerikanët më të pasur paguajnë më pak taksa se shumica e punëtorëve të zakonshëm në Shtetet e Bashkuara.

Nga të dhënat e publikuara, pasuria e 25 amerikanëve më të pasur u rrit për 401 miliardë dollarë në periudhën 2014-2018, por ata paguan vetëm 13.6 miliardë dollarë taksë në të hyra për atë periudhë.