Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Sulmuesi shqiptar në Vjenë veproi i vetëm, fqinjët e njihnin si djalë të urtë

Në fund të vitit 2018, shteti i Austrisë ishte në dijeni se 320 shtetas të saj ishin përfshirë ose synonin të merrnin pjesë në xhihadin e Sirisë dhe Irakut. Nga mesi i tyre 58 kanë vdekur, ndërsa 93 janë kthyer në Austri. 62 të tjerëve u ishte pamundësuar ikja nga shteti

Video-provat kanë konfirmuar se shqiptari nga Maqedonia Veriore, i cili ka lënë katër të vrarë në sulmin e së hënës në qendër të Vjenës, ka vepruar i vetëm.

Mirëpo ministri i Punëve të Brendshme, Karl Nehammer, ka thënë të mërkurën se ka pasur një problem me mënyrën e menaxhimit të informacioneve që kishte ofruar Sllovakia, pasi që sulmuesi kishte tentuar të blinte armatim në shtetin fqinj. Ai ka paralajmëruar formimin e një komisioni të pavarur për të hetuar punën e Agjencisë së Inteligjencës së Austrisë.

Nehammer ka thënë po ashtu se duhet të hetohet mënyra e kontrollit të personave që janë konsideruar si të rrezikshëm, pasi 20-vjeçari Kujtim Fejzullai ishte liruar nga burgu pasi kishte arritur të bindte zyrtarët e programit të deradikalizimit se nuk kishte më bindje xhihadiste.

Ministri ka njoftuar se të arrestuarit në Austri kanë prejardhje emigrante. Shefi i Policisë së Vjenës, Gerhard Puerstl, ka thënë se disa prej të arrestuarve kishin shtetësi të dyfishtë të Bangladeshit, Maqedonisë Veriore, Turqisë dhe Rusisë.

Fqinjët e sulmuesit shqiptar kanë bërë të ditur gjatë një interviste për medie se janë tronditur prej sulmit.

Edhe Dënohen katër xhihadistë në lidhje me sulmin në Vjenë Botë Dënohen katër xhihadistë në lidhje me sulmin në Vjenë

20-vjeçari, Kujtim Fejzullai, me shtetësi maqedonase dhe austriake, vrau katër persona dhe plagosi 21 të tjerë para se policia ta qëllonte për vdekje në zonën qendrore të Vjenës. Në mesin e viktimave të shqiptarit nga Maqedonia është edhe një bashkëkombës nga Struga.

Imami Gani Nuri ka thënë se nuk e njeh personalisht sulmuesin, porse krejt fshati Çellopek në Maqedoninë Perëndimore ka fjalë të mira për familjen e tij. Ai ka thënë se vetëm pas sulmit, komuniteti ka dëgjuar për lidhjen e sulmuesit me xhihadistët.

“Dua të them se terrorizmi nuk ka asnjë lidhje me islamin”, ka thënë Nuri.

Në Vjenë, Hermann Sherer, që jeton në ndërtesën e njëjtë ku banonte Fejzulai, ka thënë se e kishte parë djaloshin në ditën e sulmit dhe se Kujtimi i kishte ndihmuar një zonje që t’i bartte valixhet shkallëve të bllokut.

Një tjetër fqinje, Cornelia Schafer, e cila gjithashtu u trondit nga lajmi, ka treguar se sulmuesi përherë ishte treguar djalë i sjellshëm.

Fejzulai ishte dënuar më parë për terrorizëm, për shkak se kishte provuar të bëhej pjesë e “Shtetit Islamik”. ISIS-i ka marrë përgjegjësinë e sulmit duke publikuar një video me të cilën dëshmohet besnikëria e Albanit, sikur njihej Fejzullai në radhët e organizatës terroriste, ndaj liderit të “Shtetit Islamik”.

Edhe Një kosovar në mesin e të akuzuarve si bashkëpunëtor i atentatorit të Vjenës, Kujtim Fejzulai Kronikë Një kosovar në mesin e të akuzuarve si bashkëpunëtor i atentatorit të Vjenës, Kujtim Fejzulai

Në fund të vitit 2018, shteti i Austrisë kishte qenë në dijeni se 320 shtetas të saj ishin përfshirë ose synonin që të merrnin pjesë në xhihadin e Sirisë dhe Irakut. Nga mesi i tyre, 58 kanë vdekur ndërsa 93 janë kthyer në Austri. 62 të tjerëve u ishte pamundësuar ikja nga shteti.

Ministri Nehammer ka përsëritur kritikat për programin e deradikalizimit, duke thënë se vrasësi me përpikëri kishte mashtruar programin që riintegronte në shoqërinë austriake xhihadistët.