Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Sulmohet një bazë e trupave amerikane në Siri, gjashtë luftëtarë kurdë të vdekur

Një sulm me dron të dielën vonë vrau gjashtë luftëtarë kurdë, në një bazë ku gjenden trupat amerikane në Sirinë Lindore. Është sulmi i parë i madh në Siri apo Irak që kur SHBA-ja nisi sulmet hakmarrëse gjatë fundjavës kundër milicive të mbështetura nga Irani, ka raportuar Associated Press.

Forcat Demokratike Siriane (SDF) të mbështetura nga SHBA-ja e të udhëhequra nga kurdët, thanë të hënën se sulmi goditi një terren trajnimi në bazën al-Omar në Deir el-Zour, provincë lindore e Sirisë, ku stërviten njësitë komando të forcave. Nuk u raportua për viktima në mesin e trupave amerikane.

Një grup i milicive irakiane të mbështetura nga Irani, i quajtur Rezistenca Islamike në Irak, publikoi një video duke marrë përgjegjësinë për sulmin dhe duke shfaqur lëshimin e dronit nga një vend i paspecifikuar.

Në fund të janarit, një sulm me dron nga i njëjti grup vrau tre trupa amerikane dhe plagosi dhjetëra të tjerë në një bazë në shkretëtirën e Jordanisë. Ushtria amerikane nisi dhjetëra sulme hakmarrëse të synuara mbi grupet militante të mbështetura nga Irani në Irakun Perëndimor dhe Sirinë Lindore, e cila gjithashtu goditi Houthit në Jemen.

SDF-i fillimisht akuzoi "mercenarët e mbështetur nga regjimi sirian" për sulmin e së dielës, por në deklaratën e dytë fajësoi "milicitë e mbështetura nga Irani" pasi hetimit të sulmit.

Grupi ka nisur dhjetëra sulme me dronë ndaj bazave dhe trupave ushtarake amerikane në Irak dhe Siri dhe ka bërë thirrje për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga këto dy vende. Sulmi ndodhi teksa po vazhdojnë tensionet në Lindjen e Mesme, në mes të luftës Izrael - Hamas, e cila nisi më 7 tetor pas një sulmi befasues të militantëve të Hamasit brenda territorit izraelit.

Ndërkohë, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, ka thënë se të paktën shtatë luftëtarë të SDF-it u vranë dhe të paktën 18 të tjerë u plagosën në sulmin e së dielës. Sulmi erdhi dy ditë pasi ushtria amerikane kreu sulme në Siri dhe Irak kundër militantëve të lidhur me Iranin. SDF-i ka thënë se ka të drejtë t'i kundërpërgjigjet sulmit.

Edhe SHBA-ja nis sulmet ajrore në Lindjen Mesme Botë SHBA-ja nis sulmet ajrore në Lindjen Mesme

Ushtria amerikane tha se të dielën ka shkatërruar katër raketa anti-anije që po synonin anijet e saja në Detin e Kuq. Raketat ishin bërë gati të lansoheshin nga zonat e kontrolluara nga rebelët Houthi në Jemen.

Në një deklaratë të hënën, Komanda Qendrore e SHBA-së tha se sulmet ishin vetëmbrojtje dhe u kryen pasi forcat përcaktuan se raketat “paraqisnin kërcënim për anijet e marinës amerikane dhe anijet tregtare në rajon”.

Sulmet e së dielës erdhën një ditë pasi SHBA-ja dhe Britania nisën një valë të dytë sulmesh kundër Houthive, që synonin të ndalonin përpjekjet e grupit për të sulmuar anijet e tyre në Detin e Kuq. SHBA-ja dhe Britania thanë se goditën 36 objektiva nga Houthive.