Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Trumpi rikthen bllokadën në Hormuz, vendos tarifë prej 20% për mallrat që kalojnë nëpër ngushticë

1 muaj më parë / 13 kor 2026 16:50
Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar të hënën se SHBA-ja po rivendos bllokadën e porteve iraniane në Ngushticën e Hormuzit, me efekt të menjëhershëm.

Në një postim në Truth Social, ai ka thënë po ashtu se anijet tregtare do të ngarkohen "me një normë prej 20% për të gjitha ngarkesat e transportuara", por nuk ka shpjeguar se si do të funksionojë kjo.

“Ngushtica e Hormuzit është e hapur dhe do të mbetet e hapur, me ose pa Iranin. Ne po rivendosim ‘Bllokadën ndaj Iranit’ – e quajtur kështu sepse ajo ndalon vetëm anijet ose klientët e Iranit të hyjnë apo të dalin. Të gjitha vendet e tjera do të kenë mundësi të drejta dhe të hapura për të shfrytëzuar Ngushticën. Nga ky moment e tutje, SHBA-ja do të njihet si "Rojtari i Ngushticës së Hormuzit", megjithatë, në emër të drejtësisë, ajo do të kompensohet, në masën 20% të vlerës së çdo ngarkese të transportuar – për të gjitha kostot e nevojshme, për të garantuar sigurinë në këtë zonë tejet të paqëndrueshme të botës. Procesi dhe organizimi do të fillojnë menjëherë”, ka shkruar ai.

Më parë, ushtria e Iranit ka thënë se nuk do të lejojë që SHBA-ja të "ndërhyjë në menaxhimin" e rrugës kryesore të transportit detar.

Ndërkohë, SHBA-ja dhe Irani kanë vazhduar të shkëmbejnë sulme edhe të hënën.

Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) ka thënë gjatë natës se kishte "përfunduar" rundin e saj të fundit të sulmeve në Iran, në përgjigje të Iranit që synonte anijet tregtare në Ngushticë.

Ndërsa një numër i vogël anijesh duket se po lëvizin nëpër rrugën kryesore ujore, trafiku mbetet i kufizuar, sipas faqes së internetit të ndjekjes së anijeve MarineTraffic.

Irani ka thënë se po synon bazat amerikane në Jordani, Bahrein dhe Kuvajt, plus sistemet e radarëve në Oman. Bahreini akuzon Iranin për synimin e civilëve.

Trump: SHBA-ja duhet ta kontrollojë Hormuzin dhe të paguhet për të

1 muaj më parë / 13 kor 2026 15:17
Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të hënën se Shtetet e Bashkuara ndoshta do të merrnin nën kontroll Ngushticën e Hormuzit dhe se duhet të kompensoheshin për kontrollin e këtij kalimi ujor jetik.

"Ne do ta mbajmë ngushticën dhe ndoshta do ta menaxhojmë atë. Ne do të bëhemi rojtari i ngushticës. Ndoshta do ta quajmë 'engjëlli mbrojtës' i ngushticës. Dhe ne duhet të kompensohemi për këtë”, ka thënë ai në një intervistë telefonike për Fox News.

Kontrolli mbi Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për furnizimet globale me naftë, është shndërruar në një nga fushat kryesore të betejës në këtë konflikt. Bllokada efektive e ngushticës nga ana e Iranit ka rritur çmimet e energjisë dhe shqetësimet lidhur me inflacionin në nivel global.

"Ne do ta ruajmë atë. Do të paguhemi për ta ruajtur – me shumë para. Ne do të kompensohemi, sepse kombet e tjera janë shumë të pasura. Ato janë në anën tonë dhe nuk mund të pritet që ne ta bëjmë këtë falas”, ka thënë ai.

Pas njoftimit për mbylljen e kalimit ujor të shtunën, si pasojë e asaj që u cilësua si një kalim i paautorizuar, Teherani ka deklaruar të dielën se lëvizja ka mbetur e pezulluar dhe se lejet do të lëshoheshin pasi të rivendosej "stabiliteti dhe qetësia".

"Ne kishim një marrëveshje. Ishte një marrëveshje e përfunduar, dhe pastaj ata e shkelën atë. Ata gjithmonë e shkelin. Kemi pasur 10 marrëveshje me këta njerëz, ndaj thjesht do t'i godasim shumë fort," ka thënë Trumpi.

Garda Revolucionare e Iranit ka deklaruar të hënën se e vetmja mënyrë për të rivendosur trafikun e rregullt detar përmes ngushticës ishte dhënia fund e ndërhyrjeve ushtarake amerikane në këtë zonë, dhe ka paralajmëruar se "ndërhyrjet e vazhdueshme mund të çojnë në incidente më të mëdha në sektorin global të naftës dhe gazit".

SHBA-ja dhe Irani në luftë për Ngushticën e Hormuzit

1 muaj më parë / 13 kor 2026 11:09
Ngushtica e Hormuzit

Photo: Associated Press

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë pretenduar veçmas të hënën se kontrollojnë Ngushticën e Hormuzit, pas një fundjave sulmesh që u përhapën në të gjithë Lindjen e Mesme, duke rrezikuar edhe më tej çdo përpjekje diplomatike për t'i dhënë fund luftës.

Sulmet u nxitën pasi Irani goditi të dielën një anije transporti kontejnerësh në ngushticën pranë brigjeve të Omanit, duke theksuar edhe një herë se kjo rrugë ujore, përmes së cilës dikur kalonte rreth një e pesta e naftës bruto dhe gazit natyror të tregtuar në botë, mbetet çështja kryesore në negociata. 

Gryka e ngushtë e Gjirit Persik është përballur me ndërprerje të transportit detar që nga fillimi i luftës, pasi Irani ka mbajtur nën presion këtë korridor duke sulmuar anijet tregtare dhe duke frikësuar kompanitë e transportit.

Irani dhe SHBA-ja ndodhen pothuajse në gjysmën e periudhës 60-ditore të një marrëveshjeje të përkohshme, e cila ishte menduar të hapte rrugën për bisedime mbi një marrëveshje të përhershme për përfundimin e luftës. Në vend të kësaj, situata është shndërruar në një seri sulmesh lidhur me ngushticën dhe të ardhmen e saj, duke shtuar shqetësimet e liderëve botërorë se lufta me Iranin mund të rifillojë plotësisht.

"Një rikthim në luftime të shkallës së plotë do të kishte pasoja katastrofike”, ka thënë sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në një deklaratë.

Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) ka bërë të ditur se forcat e saj kanë goditur dhjetëra objektiva gjatë sulmeve të së hënës, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore, radarë, pajisje raketash dhe dronësh, si edhe mjete të vogla detare.

"Ngushtica e Hormuzit është një korridor jetik detar për tregtinë globale. Irani nuk e kontrollon atë”, ka deklaruar CENTCOM.

Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC), një nga qendrat kryesore të pushtetit në republikën islamike dhe forca që kontrollon arsenalin e raketave balistike të vendit, e ka hedhur poshtë deklaratën amerikane.

"Ngushtica e Hormuzit është territori ynë dhe ne nuk do të lejojmë që një ushtri e papërgjegjshme dhe vrasëse fëmijësh nga ana tjetër e botës të vazhdojë ndërhyrjen e saj të paligjshme në të”, ka deklaruar Garda.

Sirenat paralajmëruese për raketa u dëgjuan tri herë të hënën në Bahrejn, ku ndodhet Flota e Pestë e Marinës Amerikane, ndërsa Kuvajti ka njoftuar se kishte penguar sulme armiqësore. Nuk pasur informacion për dëme në asnjërin prej vendeve.

Në Jordani, ushtria ka njoftuar se ka rrëzuar katër raketa iraniane në një incident që, sipas saj, "nuk shkaktoi as viktima dhe as dëme materiale". Jordania gjithashtu strehon baza dhe mjete ajrore të ushtrisë amerikane.

Në Iran, autoritetet raportuan sulme në provincat Hormozgan, Khuzestan dhe Markazi, ku sipas agjencisë shtetërore IRNA, të paktën dy persona kanë humbur jetën. Mediat gjysmëzyrtare iraniane kanë raportuar gjithashtu për sulme në provincën Sistan dhe Baluchestan.

Sulmet iraniane të së dielës janë shtrirë në Bahrejn, Kuvajt, Katar, Jordani dhe madje edhe në Oman, ujërat territoriale të të cilit, së bashku me ato të Iranit, përbëjnë Ngushticën e Hormuzit. Omani, i cili prej kohësh ka shërbyer si ndërmjetës mes Teheranit dhe Perëndimit, ka thirrur një diplomat iranian për të protestuar ndaj sulmit.

Ndërkohë, të hënën, një bazë që i përket krahut të armatosur të Partisë së Lirisë së Kurdistanit, një grup opozitar kurd iranian me bazë në rajonin gjysmëautonom të Kurdistanit në Irak, u sulmua me dronë.

Luftimet përqendrohen te statusi i Ngushticës së Hormuzit

Ushtria amerikane ka njoftuar herët të dielën se kishte goditur rreth 140 objektiva, përfshirë vende lëshimi raketash dhe dronësh, depo municionesh, pajisje komunikimi dhe objektiva të tjera ushtarake.

Ky ishte një valë sulmesh shumë më i gjerë se dy rundet e mëparshme të zhvilluara gjatë javës së fundit.

"I bombarduam pa mëshirë mbrëmë”, ka thënë presidenti amerikan Donald Trump për NBC.
Irani është kundërpërgjigjur duke sulmuar vende të rajonit që strehojnë forca ushtarake amerikane, ndërsa ka këmbëngulur se vetëm ai duhet të kontrollojë Ngushticën e Hormuzit dhe se mund të vendosë tarifa për anijet që kalojnë nëpër të.

"Epoka e marrëveshjeve të njëanshme ka mbaruar”, ka shkruar kryetari i Parlamentit iranian dhe një nga negociatorët kryesorë të vendit, Mohammad Bagher Qalibaf. 

"Ju thamë: mbajeni fjalën ose paguani çmimin. Realiteti po troket”, ka shtuar.
Irani ka deklaruar se ngushtica ishte mbyllur, ndërsa ushtria amerikane dhe presidenti Trump këmbëngulën se ajo mbetej e hapur.

Megjithatë, kontrolli i Iranit mbi ngushticën është dobësuar disi, pasi ushtria amerikane ka ofruar mbështetje për anijet që lëvizin përgjatë një rruge jugore pranë bregdetit të Omanit. Kjo rrugë e re ka zemëruar Iranin, i cili ka ndërmarrë sulme të përsëritura ndaj anijeve që e përdorin atë.

Kallas: S’mund të ketë taksa për të kaluar nëpër Hormuz

1 muaj më parë / 13 kor 2026 10:29
Kaja Kallas

Photo: Associated Press

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, ka bërë thirrje të hënën për lundrim të lirë në Ngushticën e Hormuzit, pasi si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Irani pohuan se e kontrollojnë atë.

Irani dhe SHBA-ja janë pothuajse në mes të periudhës 60-ditore të një marrëveshjeje të përkohshme gjatë së cilës parashihej të zhvilloheshin bisedimet për një përfundim të përhershëm të luftës.

Në vend të kësaj, ajo është degraduar në një seri sulmesh mbi ngushticën dhe të ardhmen e saj, duke ngritur shqetësime tek udhëheqësit botërorë se Irani mund të rikthehej plotësisht.

Kallas ka thënë se Memorandumi i Mirëkuptimit është në fuqi, por realisht nuk po respektohet. 

Duke folur para një takimi të ministrave të punëve të Jashtme të BE-së, ajo ka thënë se Ngushtica e Hormuzit duhet të hapet, dhe se liria e lundrimit duhet të respektohet.

Irani e ka përshkruar ngushticën si të mbyllur, ndërsa ushtria amerikane dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pohuan se ngushtica vazhdon të jetë e hapur.

Megjithatë, kontrolli i Iranit mbi ngushticën është dobësuar, pasi ushtria amerikane ofroi mbështetje për anijet që lëviznin përgjatë rrugës jugore, në ujerat brenda territorit të Omanit dhe Zonës së Trafikut Bregdetar, e projektuar për të anashkaluar korridoret tradicionale të kontestuara të transportit detar verior.

Kjo rrugë e re ka shkaktuar reagim nga Irani, i cili nisi sulme të përsëritura ndaj anijeve që e përdorin atë.

Trumpi ka sugjeruar javën e kaluar se marrëveshja e përkohshme në luftë kishte mbaruar.

Por ndërmjetësuesit, përfshirë Pakistanin, Katarin dhe Egjiptin, kanë vazhduar përpjekjet për të arritur një marrëveshje përfundimtare për t'i dhënë fund luftës.

Çmimet e naftës rriten me rreth 5% pas sulmeve të fundit të SHBA-së e Iranit

1 muaj më parë / 13 kor 2026 10:07
Nafta

Çmimet e naftës u rritën me pothuajse 5 %, pas lajmit se Irani kishte goditur anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit, si dhe sulmeve të tjera të SHBA-së ndaj Iranit.

Një e pesta e naftës dhe gazit në botë zakonisht kalon përmes rrugës kryesore ujore në jug të Iranit, të cilën vendi e kishte mbyllur në mënyrë efektive në përgjigje të fillimit të luftës SHBA-Izrael me Iranin në fund të shkurtit, shkruan BBC.

Çmimi global i naftës me shumicë, u rrit me pothuajse 5% herët të hënën në mbi 79 dollarë për fuçi të naftës së papërpunuar Brent.;

Pavarësisht rritjes, çmimet mbeten shumë poshtë kulmit prej gati 120 dollarë për fuçi të arritur gjatë fillimit të luftës.

Para se të fillonte konflikti, nafta tregtohej me rreth 70 dollarë për fuçi.

Irani intensifikon sulmet ndaj bazave amerikane në shtetet e Gjirit

1 muaj më parë / 13 kor 2026 10:06
hormuz

Photo: Associated Press

Forcat amerikane dhe iraniane shkëmbyen sulme të rënda me raketa dhe dronë, me Teheranin që synonte objektet amerikane në shtetet përtej Gjirit si dhe mbylli përsëri Ngushticën e Hormuzit, shkruan Reuters.

Gardat Revolucionare e Iranit njoftoi të hënën se kishin synuar objektet ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt dhe se kanë shkatërruar sistemet e radarëve në Oman. Gjithashtu kanë thënë se kanë goditur rezervuarët e karburantit dhe depot e municioneve në Bazën Ajrore Prince Hassan në Jordani në përgjigjen e tyre të fundit ndaj një vale tjetër sulmesh amerikane.

Sulmet ishin të fundit në një cikël sulmesh dhe kundërsulmesh, ndërsa Irani kërkon të vendosë kontroll mbi transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit. 

Ushtria amerikane tha se goditi sistemet ushtarake iraniane të mbrojtjes ajrore, vendet e radarëve bregdetarë, aftësitë e raketave dhe dronëve, si dhe anije të vogla, duke përdorur avionë, anije detare dhe dronë gjatë operacioneve të së dielës.

Sulmet e fundit ngrenë dyshime të mëtejshme mbi të ardhmen e një marrëveshjeje të përkohshme SHBA-Iran të nënshkruar muajin e kaluar që synonte të rihapte ngushticën dhe t’i jepte fund luftës pas 60 ditësh të tjera negociatash.