Dasmat janë një nga mundësitë e pakta për gëzim në Gazë, por sulmi treditor i Izraelit çoi në vdekje dhe shtyrje ceremonish. “Filluan të rridhnin lajme për një shtëpi të bombarduar në kampin Al-Shaout, ku jetonte familja e të fejuarit tim”, tha Abeeri. “Menjëherë mora telefonin tim për ta thirrur, por ai nuk u përgjigj. U tremba dhe fillova të qaja fort shumë”. Sipas familjes, Ismaili ishte kthyer në shtëpi pak çaste para bombardimit dhe ishte vrarë së bashku me nënën e tij
Abeer Harb priti gjashtë orë që trupi i të fejuarit të saj të shpëtohej nga rrënojat.
24-vjeçarja ishte fejuar me Ismail Dweikun që nga qershori dhe çifti ishte i zënë me përgatitjet për martesën e tyre, kur një sulm ajror izraelit shkatërroi shtëpinë e Ismailit, në Rripin jugor të Gazës.
Ismaili, një-30 vjeçar i gatshëm për të filluar një jetë të re me Abeerin, u vra më 6 gusht, në ditën e dytë të bombardimeve treditore të Izraelit ndaj enklavës së ngushtë bregdetare, e cila është përballur me sulme të shumta gjatë bllokadës izraelite tashmë 15-vjeçare.
Ai ishte në mesin e 49 palestinezëve të vrarë në rundin e fundit të luftimeve, për të cilat Izraeli tha se kishin në shënjestër Xhihadin Islamik Palestinez, një grup i armatosur aktiv në Gazë. Pothuajse gjysma e të vrarëve ishin civilë, kanë thënë zyrtarët palestinezë.
Izraeli tha se bombardimi ishte sulm “parandalues” ndaj Xhihadit Islamik, i cili thotë se po planifikonte të nisë sulme në Izrael.
Abeeri i tha “Al Jazeeras” se familja e Ismailit e kishte ftuar familjen e saj për drekë, por se ata nuk kishin shkuar për shkak të luftimeve.
Vizita që s’u realizua kurrë
Ismaili i tha asaj se do të vinte dhe do ta vizitonte së shpejti, por ishte një vizitë që ai nuk e kishte fatin ta bënte.
“Filluan të rridhnin lajme për një shtëpi të bombarduar në kampin Al-Shaout, ku jetonte familja e të fejuarit tim”, tha Abeeri. “Menjëherë mora telefonin tim për ta thirrur, por ai nuk u përgjigj. U tremba dhe fillova të qaja fort shumë”.
Sipas familjes, Ismaili ishte kthyer në shtëpi pak çaste para bombardimit dhe ishte vrarë së bashku me nënën e tij. Sulmi dukej se synonte shtëpinë e komandantit të Xhihadit Islamik Palestinez në Gazën jugore, Khaled Mansour.
“Sytë e mi nuk u mbyllën gjatë të gjithë natës, ndërsa pashë procesin e nxjerrjes së trupave dhe të plagosurve nga rrënojat”, tha Abeeri, ndërsa ajo përpiqej të fliste, ndërsa qante. “Isha duke iu lutur Zotit që Ismaili të ishte ende gjallë. Thashë me vete se do të isha e kënaqur nëse i pritej këmba apo diçka tjetër. Gjëja më e rëndësishme do të ishte se ai të ishte ende gjallë”.
“Isha e dëshpëruar kur dëgjova lajmin. Ndjeva sikur ma kishin vjedhur jetën”, tha Abeeri. “I fejuari im, Ismaili, ishte shumë i sjellshëm dhe bujar dhe na kishte përgatitur një shtëpi modeste”.
Historia e Abeerit dhe Ismailit nxjerr në pah efektin e konfliktit në jetën e përditshme në Gaza, me trajektoret e jetëve të ndryshuara ose të përfunduara sa hap e mbyll sytë.
“Ende ndihem sikur jam në një makth të madh. Nuk dua ta besoj atë që ndodhi. Izraeli më shkatërroi ëndrrat dhe më vodhi gëzimin me të fejuarin tim”.

Tragjedia e ditës së dasmës
Ajo që supozohej të ishte dita më e lumtur e jetës së Akram Abu Qaidas u kthye shpejt në katastrofë.
Dita e dasmës së 24-vjeçarit duhej të ishte më 6 gusht. Do të kishte një festë dhe një mundësi për t'u mbledhur me familjen dhe miqtë dhe të fillonte zyrtarisht jetën e tij të re me nusen e tij.
Mohammedi, babai i Akramit, kishte shpjeguar se familja kishte marrë vendimin, pas fillimit të bombardimeve izraelite, për ta sjellë nusen e Akramit në shtëpi pa ceremoni martese, për respekt për njerëzit e vrarë.
“Sipas traditave të ndjekura në Gazë, unë, gruaja ime dhe familja ime u larguam nga shtëpia jonë në Beit Hanoun në Rripin verior të Gazës dhe u drejtuam për në shtëpinë e nuses, për ta përfunduar ceremoninë e dasmës dhe për ta ‘sjellë nusen’ në shtëpi bashkëshortore”, shpjegoi Mohammedi për “Al-Jazeeran”, duke folur në emër të Akramit, i cili ishte shumë i tronditur nga tragjedia për të folur.
Rrugës për në familjen e nuses, makina me të cilën po udhëtonte nëna e dhëndrit, Naema, u godit nga një sulm ajror izraelit, duke e vrarë atë në çast dhe duke plagosur pesë anëtarë të familjes, përfshirë fëmijë.
“Ishte një skenë e tmerrshme. Nuk e dija se çfarë ndodhi. Një raketë goditi gruan time kur ajo doli nga makina dhe ajo u copëtua”, tha Mohammedi.
“Atmosfera e gëzimit u kthye në një funeral në momente”, shtoi ai. “Cili është faji ynë? Çfarë faji ka djali im, dhëndri, i cili do të jetojë me një kujtim të dhimbshëm që do ta ndjekë gjatë të gjithë jetës”.
Pasi humbi gruan dhe nënën e fëmijëve të tij, Mohammedi tani shqetësohet për gjendjen mendore të djalit të tij dhe atë të nuses së re, e cila për momentin po qëndron në shtëpinë e familjes së saj.
“Kush ka dëshirë të jetë i lumtur apo të martohet pas gjithë kësaj?”

Shtyrje dhe anulime
Shumica e palestinezëve në Gazë që planifikonin dasmat e tyre ishin me fat që të shmangnin çdo humbje fizike gjatë shpërthimit të fundit të konfliktit.
Megjithatë, siç ndodh shpesh në Gazë, luftimet kanë ndikuar në ngjarje të planifikuara prej kohësh dhe në fund i kanë ndaluar njerëzit që të jetojnë normalisht jetën e tyre.
Maysa Maliha dhe Ahmed Zaqout kishin planifikuar të bënin dasmën e tyre më 7 gusht, gjatë sezonit të ngjeshur të dasmave verore në Gazë.
Përleshjet nënkuptonin një shtyrje, por vetëm të shkurtër dhe çifti e zhvendosi datën në 12 gusht, disa ditë pas përfundimit të konfliktit.
Ndërsa pjesa tjetër e Gazës po merrte veten, Maysa dhe Ahmedi nxituan të rifillonin jetën e tyre dhe të bënin marrëveshje të reja pasi kishin anuluar shpejt planet e tyre pas fillimit të sulmit izraelit.
“Kjo është gjëja më e keqe për të jetuar në Gazë. Planifikimi është inekzistent, nuk mund ta planifikosh jetën tënde në mënyrën tënde”, tha Maysa për “Al-Jazeeran”. “Gjithmonë ka surpriza dhe zhvillime në situatat politike dhe të sigurisë që prishin planet tuaja personale të jetës”.
Çifti vendosi të organizonte dasmën e tyre, por festimet i reduktuan.
“Ne ëndërruam për një festë të madhe dhe të bënim çfarë të donim”, tha Maysa. “Por ne vendosëm të mjaftoheshim me një festë pa bujë të shpejtë nga frika se gjërat mund të përshkallëzoheshin përsëri”.
“Ajo që ndodhi në ato tri ditë më bëri të vendos që do të kem ditën time të dasmës dhe të jem e lumtur edhe nëse zemra ime është e trishtuar”, tha nusja. "Ka një hapësirë shumë të vogël për lumturi në Gazë dhe nuk e dini kurrë se çfarë mund të ndodhë me ju”.
Përktheu: Forca Jashari