Persona të armatosur kanë sulmuar një vend të shenjtë shiit në Iran të mërkurën, duke vrarë 15 persona dhe plagosur dhjetëra të tjerë. Sulmi erdhi ndërsa protestuesit në mbarë Iranin shënuan 40 ditë nga vdekja e Mahsa Aminit që ndezi lëvizjen më të madhe anti-qeveritare në më shumë se një dekadë.
Televizioni shtetëror fajësoi për sulmin “tekfirët”, një term që u referohet ekstremistëve myslimanë sunni të cilët kanë vënë në cak shumicën shiite të vendit në të kaluarën. Sulmi duket se nuk kishte lidhje me demonstratat, raportoi AP.
Dy persona u arrestuan dhe i treti është në arrati pas sulmit në xhaminë Shah Cheragh, vendi i dytë më i shenjtë në Iran.
Një faqe lajmesh iraniane raportoi se sulmuesit ishin shtetas të huaj.
Grupi i Shtetit Islamik mori përgjegjësinë për sulmin në agjencinë e vetë të lajmeve. Tha se një militant i armatosur i IS-it u fut në xhami dhe hapi zjarr. Pretendoi se 20 persona u vranë dhe dhjetëra u plagosën.
Sulme të tilla janë të rralla në Iran, por prillin e kaluar, një sulmues theri për vdekje dy klerikë.