Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara t'i ofrojnë Ukrainës “armët që i duhen” për t'u mbrojtur nga Rusia, tha të dielën këshilltari i sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan, ndërsa Ukraina kërkon më shumë ndihmë ushtarake nga Perëndimi.
Sullivan tha se administrata e presidentit Biden do të dërgojë më shumë armë në Ukrainë për të frenuar përparimin e Rusisë dhe sulmet e saj ndaj civilëve, që Uashingtoni i ka etiketuar si krime lufte.
“Do t'i japim Ukrainës armët që i duhen për të mposhtur rusët, për t'i ndaluar ata të marrin kontrollin e më shumë qyteteve dhe fshatrave ku po kryejnë krime”, tha Sullivan në emisionin “This Week” të ABC News.
Moska ka hedhur poshtë akuzat për krime lufte e bëra nga Ukraina dhe vendet perëndimore.
Duke folur më pas në emisionin “Meet the Press” në NBC News, Sullivan tha se Shtetet e Bashkuara “po punonin gjatë gjithë kohës për të dorëzuar armë ... dhe organizuar dhe koordinuar dërgimin e armëve nga shumë vende të tjera”.
Edhe
Zelensky: SHBA-ja ka rifilluar furnizimet ushtarake në Ukrainë
“Armët po mbërrijnë çdo ditë”, tha Sullivan, “përfshirë sot”.
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar 1.7 miliardë dollarë ndihmë ushtarake në Ukrainë që kur Rusia nisi agresionin e saj më 24 shkurt, tha Shtëpia e Bardhë javën e kaluar.
Dërgesat e armëve kanë përfshirë raketa mbrojtëse anti-ajrore Stinger dhe antitank Javelin, si dhe municione dhe mbrojtëse trupi. Por presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky po u kërkon udhëheqësve amerikanë dhe evropianë të dërgojnë armë dhe pajisje më të rënda për t’u bërë ballë forcave ruse në rajonin lindor të vendit, ku Rusia pritet të intensifikojë përpjekjet e saj ushtarake.
Në pjesë të një interviste me “60 Minutes” të CBS News që do të transmetohet më vonë të dielën, Zelensky tha se zmbrapsja e inkursionit rus “varet nga fakti se sa me shpejtësi do të ndihmohemi nga Shtetet e Bashkuara. Që të jem i sinqertë mbijetesa jonë varet nga kjo”, tha ai.
“Kam besim 100% te njerëzit tanë dhe te forcat tona të armatosura, por fatkeqësisht nuk kam besim se do të marrim gjithçka që na nevojitet”, tha ai.
Edhe
Kremlini: Duhet kohë për ta qartësuar se çfarë armë po dërgojnë amerikanët në Ukrainë
Rusia emëroi të shtunën një gjeneral të ri për të udhëhequr forcat e saj në Ukrainë, Aleksandr Dvornikov.
60-vjeçari Dvornikov është një nga oficerët ushtarakë më me përvojë të Rusisë. Sipas zyrtarëve amerikanë, ai ka një histori brutaliteti ndaj civilëve në Siri dhe luftëra të tjera.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Sullivan tha në për CNN-in se parashikon që gjenerali Dvornikov, të orkestrojë krime dhe brutalitet kundër civilëve ukrainas.
Zoti Sullivan tha se emërimi i gjeneralit “nuk mund ta mbulojë faktin se Rusia tashmë është përballur me një dështim strategjik në Ukrainë”.
Edhe
SHBA-ja do t’i dërgojë më shumë armë Ukrainës, thotë Trumpi
Një sondazh i CBS News i publikuar të dielën tregoi mbështetje të gjerë mes amerikanëve për dërgimin e më shumë armëve në Ukrainë.
Sipas sondazhit, i cili u krye javën e kaluar, 72% e të anketuarve favorizojnë dërgimin e më shumë armëve, ndërsa 78% mbështesin sanksionet ekonomike ndaj Rusisë./ VOA/