Suedia është shumë kritike ndaj "retorikës kërcënuese" kundër Goenlandës dhe Danimarkës nga administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka thënë të dielën kryeministri i vendit nordik, Ulf Kristersson.
Ai ka thënë në një fjalim të dielën se rendi botëror i bazuar në rregulla është nën një kërcënim më të madh se për shumë dekada.
"Ne jemi shumë kritikë ndaj asaj që Shtetet e Bashkuara po bëjnë dhe kanë bërë tani në Venezuelë, në lidhje me të drejtën ndërkombëtare, dhe ndoshta edhe më kritikë ndaj retorikës që po shprehet kundër Grenlandës dhe Danimarkës", ka thënë Kristersson në një konferencë vjetore sigurie në Suedinë veriore.
"Përkundrazi, Shtetet e Bashkuara duhet të falënderojnë Danimarkën, e cila ka qenë një aleate shumë besnike gjatë viteve”, ka shtuar ai.
Presidenti Donald Trump ka thënë të premten se SHBA-ja duhet të zotërojë Grenlandën për të parandaluar Rusinë ose Kinën ta pushtojnë atë në të ardhmen.
Ai ka thënë vazhdimisht se anijet ruse dhe kineze po operojnë pranë Grenlandës, diçka që vendet nordike e kanë refuzuar.