Disa vajza të reja janë ende në ankand për martesa në këmbim të lopëve në Sudanin Jugor. Është një nga sfidat sociale që aktivistët kishin shpresuar të nënvizonin gjatë vizitës te Papa Françesku, që tashmë është shtyrë.
Çmimi i një vajze, i përcaktuar në negociatat midis babait të saj dhe burrit potencial, është zakonisht 50 deri në 100 lopë, secila me vlerë deri në 1000 dollarë. Një vajzë e konsideruar si e bukur, pjellore dhe e nivelit të lartë shoqëror mund të sjellë deri në 200 lopë. Një vajzë në një rast disa vite më parë u nxor në ankand për 520 lopë, plus makina.
"Sa më e re të martohet vajza, aq më shumë familja merr bagëti në këmbim", tha Jackline Nasiwa, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës së Qeverisjes Gjithëpërfshirëse, Paqes dhe Drejtësisë në kryeqytetin e Sudanit Jugor, Juba. “Ata shesin vajzat e tyre që të marrin diçka për të mbijetuar”.
Megjithëse ligji i Sudanit të Jugut nuk lejon martesat nën moshën 18-vjeçare, ai zbatohet rrallë, veçanërisht në zonat rurale.
Sudani Jugor është në vendin e pestë në botë sa i përket martesave të fëmijëve, sipas OKB-së. Kjo praktikë është një shkelje e të drejtave të njeriut, një pengesë serioze për shkrim-leximin dhe një shkak kryesor i varfërisë së vazhdueshme. Rreth një e treta e vajzave në vend ngelin shtatzënë para se të mbushin 15 vjeç, sipas UNICEF.
Martesa e hershme mund të jetë vdekjeprurëse. Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë ka thënë se Sudani Jugor është një nga vendet më të rrezikshme për të qenë nënë. Ka një nga nivelet më të larta të vdekshmërive të nënave gjatë lindjeve.
OKB-ja dëshiron që martesat e fëmijëve të eliminohen në mbarë botën deri në vitin 2030. Por familjet e varfra në Sudanin Jugor i shohin ligjet kundër martesës së fëmijëve si ndalim të tyre për përfitim nga vajzat e tyre dhe kërcënojnë vetë mbijetesën e tyre.
Autoritetet kanë një rrugë të gjatë për të bërë për të ndryshuar qëndrime të tilla, tha Aya Benjamin, ministrja e Mirëqenies Sociale të Sudanit Jugor, e cila si vajzë shikonte disa nga shoqet e saja se si martoheshin.
“Është përgjegjësia jonë kolektive të sigurohemi që vajzat tona të lejohen të shijojnë fëmijërinë e tyre”, tha ajo për AP. “Ne nuk po e dekurajojmë martesën. Thjesht themi t'i lejojmë vajzat të jenë fëmijë. Lërini ato të jenë vetvetja. Lërini të rriten dhe le të shkojnë në shkollë dhe lejojini të vendosin se çfarë duan të jenë në jetë, dhe në këtë mënyrë ne mund të kemi një shoqëri të shëndetshme”.
Përktheu: Forca Jashari