Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Stihia e zjarrtë rrezikon Athinën, flakët përpijnë pyjet në Itali e Kaliforni

Në jug të Athinës, flakët arrijnë të shihen nga largësia dhe po e kërcënojnë qytetin Varybobi, prej ku ka vazhduar evakuimi i banorëve për të katërtën ditë radhazi. Në të njëjtin vend kanë shpërthyer edhe tri zjarre të mëdha, të cilat janë shtrirë në distanca kilometrike dhe kërcënojnë disa paralagje të Athinës

Zjarret pyjore kanë vazhduar të bëjnë kërdi në pothuajse gjithë botën - stihia e zjarrtë po del prej kontrolli në Greqi, flakët po përpijnë pjesë të tëra të Sicilisë dhe Kalabrisë në Itali, ndërsa Kalifornia po përballet me zjarrin e tretë më të madh në histori.

Në jug të Athinës, flakët arrijnë të shihen nga largësia dhe po e kërcënojnë qytetin Varybobi, prej ku ka vazhduar evakuimi i banorëve për të katërtën ditë radhazi.

Në të njëjtin vend kanë shpërthyer edhe tri zjarre të mëdha, të cilat janë shtrirë në distanca kilometrike dhe kërcënojnë disa paralagje të Athinës, ka njoftuar të shtunën televizioni shtetëror grek, raporton agjencia “Al-Jazeera”.

Përpjekjet e avionëve dhe ekipeve të zjarrfikësve për shuarjen e vatrave të zjarrit kanë rezultuar të pasuksesshme, shkaku i erërave të forta.

Ndërsa zonën të premten e ka vizituar kryeministri Kyriakos Mitsotakis.

Edhe Zjarret vërshojnë Greqinë, autoritetet evakuojnë zonat afër kryeqytetit Botë Zjarret vërshojnë Greqinë, autoritetet evakuojnë zonat afër kryeqytetit

“Me gjithë intensitetin aktual të flakëve, gjendja sot është paksa më e mirë sesa dje. Duhet t’i vazhdojmë me intensitetin më të madh të mundshëm përpjekjet për shuarjen e të gjitha zjarreve dhe të mos e lëmë të hapur asnjë mundësi për rindezjen e tyre”, ka thënë ai.

Gjendja është e rëndë edhe në ishullin Evia dhe në zonat përreth Peloponezit. Gjatë 24 orëve të fundit, në gjithë Greqinë aktive kanë mbetur madje 86 vatra të zjarreve. Mes tyre edhe disa në zonat industriale dhe përgjatë autostradës që lidh Athinën me Selanikun.

Së paku 18 persona janë lënduar dhe janë hospitalizuar, ka raportuar “Al-Jazeera”, duke specifikuar se shumica e tyre kanë probleme respiratore.

Në Turqinë fqinje, beteja kundër flakëve ka vazhduar për të njëmbëdhjetën ditë në Antalya, Mugla, Isparta, Aydin dhe Denizli, të gjitha këto qytete bregdetare me numër të madh turistësh.

Re të dendura tymi dhe flakët e stuhishme po përhapen në këto zona dhe po u afrohen shtëpive, derisa zjarrfikësit dhe banorët po mundohen që t’i vënë zjarret nën kontroll.

Edhe Flakët jashtë kontrolli, mijëra qytetarë ikin nga Greqia e Turqia Botë Flakët jashtë kontrolli, mijëra qytetarë ikin nga Greqia e Turqia

“Nga gjithsej 208 zjarre pyjore në 44 qytete të Turqisë, nën kontroll janë vënë 196”, ka theksuar presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, në përditësimin e së shtunës mbi gjendjen.

Njësitet italiane të zjarrfikësve kanë vazhduar betejën kundër stihisë së flakëve në jug të vendit, ku meteorologët kanë parashikuar për ditët në vijim temperatura jashtëzakonisht të larta.

Dy persona janë raportuar të vdekur si pasojë e zjarreve në këtë pjesë të Italisë. Sipas karabinierëve të angazhuar në fikjen e zjarreve, të vdekurit janë një grua dhe nipi i saj, të cilët po përpiqeshin t’i fiknin flakët në ullishtën e tyre në qytetin San Lorenco në rajonin e Kalabrisë. Në 12 orët e fundit zjarrfikësit kanë intervenuar në 395 vatra të zjarrit, kryesisht në Sicili dhe Kalabri. Ministria italiane e Mjedisit ka njoftuar se më shumë se 57 prej tyre janë ndezur nga zjarrvënia e qëllimshme.

Ndërkaq kryebashkiaku i Reggio Calabria, Giuseppe Falcomata, ka thënë se tanimë janë djegur pjesë të mëdha të fshatrave dhe se në zonat kodrinore dhe në male flakët ende nuk janë vënë nën kontroll.

Betejat kundër flakëve kanë vazhduar edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri. Porse situatë më alarmante është raportuar në California, ku flakët kanë kapluar një territor prej më shumë se 175.153 hektarësh, për t’u listuar si të tretat më të mëdha në histori të vendit.

Edhe Zjarri në Greqi vihet nën kontroll, por erërat e forta shkaktojnë evakuime Botë Zjarri në Greqi vihet nën kontroll, por erërat e forta shkaktojnë evakuime

Zjarret që shpërthyen më 13 korrik në jug të Sacramentos kanë shkatërruar së paku 134 shtëpi, ndërsa tani kërcënojnë afro 14 mijë objekte të tjera.

Në fikjen e zjarreve deri më tani janë angazhuar mbi 5 mijë zjarrfikës.