Gjenerali iranian, Qassem Soleimani, arriti në Aeroportin e Damaskut me një veturë me xhama të zinj. Me të në këtë veturë ishin edhe katër ushtarë të Gardës Revolucionare të Iranit. Dhe vetura u parkua afër shkallëve që shpinin në aeroplanin “Airbus A320” të kompanisë “Cham Wings”, me destinacion Bagdadin.
As Soleimani e as ushtarët nuk ishin evidentuar në regjistrin e pasagjerëve, ka bërë të ditur një punëtor i “Cham Wings”, që e ka përshkruar skenën e ikjes së tyre nga kryeqyteti sirian. Soleimani kishte shmangur përdorimin e aeroplanit privat, për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tij, ka thënë një burim brenda sistemit irakian të sigurisë. E ky do të ishte fluturimi i fundit për Soleimanin, shkruan sot Koha Ditore.
Raketat e shkrepura nga droni amerikan do ta linin të vdekur me t’u larguar nga aeroporti i Bagdadit, me një konvoj prej dy makinash të blinduara. Sulmi vrau edhe burrin që po e shoqëronte në aeroport: Abu Mahdi Muhandis, zëvendësdrejtor i Forcave të Mobilizimit Popullor të Irakut (PMF), mekanizëm qeveritar irakian nën të cilin veprojnë milicitë e vendit.
Hetimi irakian për ngjarjen e 3 janarit nisi pak minuta pas sulmit, kanë bërë të ditur për Reuters dy zyrtarë irakianë të sigurisë. Agjentët e Sigurisë Kombëtare kishin marrë kontrollin e Aeroportit dhe nuk e lejuan largimin e shumë nëpunësve të sigurisë, përfshirë zyrtarë policie, zyrtarë pasaportash dhe agjentë inteligjence.
Hetuesit janë fokusuar në pjesën se si informatorët e dyshuar brenda aeroporteve të Bagdadit dhe Damaskut bashkëpunuan me ushtrinë amerikane për t’i rënë në gjurmë vendndodhjes së Soleimanit, thanë dy zyrtarë të lartë irakianë të sigurisë, dy punëtorë të Aeroportit të Bagdadit, dy zyrtarë policie dhe dy punëtorë të “Cham Wings Airlines” të Sirisë, kompani komerciale private me seli në Damask.
Edhe
FBI-ja kërkon spiunin iranian që dyshohet se po komploton vrasjen e zyrtarëve amerikanë
Hetimit po i prin Falih al-Fayadhit, i cili ka shërbyer si këshilltar i Sigurisë Kombëtare të Irakut dhe si drejtues i PMF-së, mekanizmit ombrellë të grupeve militante shiite irakiane, shumë prej të cilave kanë mbështetjen e madhe të Iranit dhe që kishin marrëdhënie të afërta më Soleimanin. Hetuesit e Sigurisë Kombëtare “kanë sinjale të forta se një rrjet spiunësh brenda Aeroportit të Bagdadit ishte përfshirë në nxjerrjen e detajeve të ndjeshme të sigurisë” rreth mbërritjes së Soleimanit dhe ia bartën ato Shteteve të Bashkuara, ka deklaruar një zyrtar i lartë i sigurisë irakiane.
Në mesin e të dyshuarve ishin edhe dy anëtarë të stafit të sigurisë në Aeroportin e Bagdadit dhe dy punëtorë të kompanisë ajrore siriane – “një spiun në Aeroportin e Damaskut dhe një tjetër që punonte në bordin e aeroplanit”, ka bërë të ditur burimi. Hetuesit e Sigurisë Kombëtare besojnë se katër të dyshuar, të cilët nuk janë arrestuar, kishin punuar si pjesë e një grupi më të gjerë që po e informonte ushtrinë amerikane, ka deklaruar zyrtari.
Dy punëtorë të “Cham Wings” po hetohen prej inteligjencës siriane, kanë thënë dy zyrtarët e sigurisë irakiane. Drejtoria e Përgjithshme e Inteligjencës e Sirisë nuk u është përgjigjur kërkesave për koment. Në Bagdad, agjentët e Sigurisë Kombëtare po hetojnë dy punëtorë të sigurisë së Aeroportit, të cilët janë pjesë e Shërbimit të Mbrojtjes së Ndërtesave Publike, ka bërë të ditur zyrtari irakian.
“ Gjetjet fillestare të hetimit të ekipit të Bagdadit sugjerojnë se informacioni për vendndodhjen e Soleimanit erdhi nga Aeroporti i Damaskut”, ka thënë zyrtari. “Puna e celulës së Aeroportit të Bagdadit ishte të konfirmonte arritjen e cakut dhe hollësitë rreth konvojit të tij”.
Zyra për media e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare nuk i është përgjigjur kërkesës për koment. Misioni irakian në OKB nuk u është përgjigjur, po ashtu, kërkesave për koment.
Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka refuzuar të komentojë nëse informatorët në Irak dhe Siri kishin ndikim në sulme. Zyrtarët amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, i kanë thënë Reutersit se SHBA-ja ka ndjekur së afërmi lëvizjet e Soleimanit disa ditë me radhë, por kanë refuzuar të thonë se si është lokalizuar vendndodhja e tij në natën e sulmit.
EdheNjë menaxher i “Cham Wings” në Damask ka thënë se punëtorët e kompanisë ajrore e kishin të ndaluar t’i komentonin sulmin ose hetimin. Një zëdhënës i Autoritetit Irakian të Aviacionit Civil, që merret me operimin e aeroporteve të vendit, ka refuzuar të komentojë hetimin, por i ka quajtur rutinore pretendimet e ngjashme “pas incidenteve që përfshijnë zyrtarë të lartë”.
Aeroplani i Soleimanit aterroi në Aeroportin e Bagdadit rreth orës 12:30 në natën e 3 janarit, thanë dy zyrtarë të Aeroportit, duke cituar pamjet nga kamerat e sigurisë. Gjenerali dhe gardianët e tij dolën nga aeroplani shkallëve drejt në pistë, duke shmangur kontrollet doganore. Muhandis e priti jashtë aeroplanit dhe dy burrat u lëshuan shkallëve drejt veturave të blinduara. Ushtarët që po e ruanin gjeneralin hipën në një tjetër veturë, kanë thënë zyrtarët e Aeroportit.
Dhe derisa zyrtarët e sigurisë po monitoronin, dy veturat morën udhë drejt rrugës kryesore që nxirrte prej Aeroportit, kanë thënë zyrtarët. Dy prej raketave të para amerikane qëlluan makinën e Soleimanit dhe Muhandisit fiks në 12:55 të natës. Disa sekonda më vonë u qëllua edhe makina përcjellëse.
Si komandant i forcës elitare të Gardave Revolucionare, Quds, Soleimani komandonte operacionet klandestine në vendet e huaja dhe ishte figurë kyç në fushatën e gjatë të Iranit për të nxjerrë forcat amerikane nga Iraku. Kishte vite prejse merrej me kryerjen e operacioneve të mbuluara dhe me fuqizimin e liderëve të milicive në Irak për të zgjeruar ndikimin iranian në Irak, dhe të luftonte kundër interesave amerikane. Reutersi ka raportuar të dielën se, duke nisur nga tetori, Soleimani kishte lansuar tinëz sulme të avancuara kundër trupave amerikane të stacionuara në Irak dhe furnizonte milicitë irakiane me armatim të sofistikuar për t’iu kryer sulmet.
Sulmi mbi gjeneralin nxiti zemërim të gjerë dhe zotime të serta për hakmarrje në Iran, i cili u kundërpërgjigj të mërkurën me një sulm raketor kundër dy bazave amerikane në Irak, ku ndodheshin trupat amerikane. Asnjë amerikan a irakian nuk pësoi prej sulmit ajror.
Në sulmet e para pas sulmit, hetuesit morën mesazhe të shumta prej punëtorëve të ndërrimit të natës të Aeroportit se kush mund t’i ketë përcjellë lëvizjet e Soleimanit sipas kërkesës së amerikanëve, ka thënë zyrtari irakian i sigurisë kombëtare. Agjentët e Sigurisë Kombëtare kanë marrë në pyetje disa orë pas vrasjes së Soleimanit punëtorët e sigurisë së Aeroportit dhe të “Cham Wingsit”, ka bërë të ditur burimi. Një punëtor sigurie ka thënë se agjentët e kanë pyetur për 24 orë me radhë para se ta lëshonin.
Edhe
Sulmohen bazat e trupave amerikane në Irak dhe Siri
Për orë të tëra e pyetën me kë kishte folur dhe me kë kishte shkëmbyer mesazhe telefonike para se të aterronte aeroplani i Soleimanit – përfshirë edhe “pyetje të çuditshme” të lidhura me fluturimin nga Damasku – dhe ia konfiskuan celularin.
“M’i shtruan një milion pyetje”, ka thënë ai.