Botë

Spanjollët i kthehen energjisë diellore shkaku i çmimeve

Kriza energjetike po e përshpejton instalimin e paneleve diellore nga komunitetet e banuara në Spanjë, të cilat synojnë të bëhen të vetëqëndrueshme.

Legjislacioni i fundit ka lejuar të ashtuquajturat “komunitete të energjisë” të gjenerojnë energji të rinovueshme përmes instalimeve kolektive. Pas vitesh me takime javore, banorët e banesave në Madrid po bëjnë një hap tjetër këtë javë drejt vetëqëndrueshmërisë së energjisë dhe instalimit të paneleve diellore në çatitë e tyre.

Sipas Institutit qeveritar për Kursimin dhe Diversifikimin e Energjisë, vitin e kaluar Spanja ka instaluar panele diellore në çati me vlerë 1.2 gigavat dhe pritet të instalojë 2 gigavat të tjera deri në fund të këtij viti. Në vitin 2018, Spanja hoqi të ashtuquajturën “taksë diellore”, e cila prekte instalimet e paneleve diellore. Legjislacioni i fundit tani përfshin për herë të parë konceptin e komuniteteve të energjisë.

Qëllimi është gjithashtu të zvogëlohet varësia dhe konsumi i gazit. Për këtë, përveç paneleve diellore, banorët po i përshtatin instalimet e tyre me ngrohjen elektrike dhe ujin e ngrohtë.