Qeveria spanjolle ka rishikuar të dhënat për vdekjet e shkaktuara nga COVID-19 dhe në fund doli se deri të hënën në mesditë kishte 26.834 vdekje ose 1.918 më pak sesa që kishte deklaruar të dielën.
"Sistemi i ri i gjurmimit lejon shmangien e numërimit të dyfishtë të rasteve, vlefshmërinë e të dhënave të lidhura me koronavirusin dhe eliminimin e vdekjeve që i atribuohen gabimisht COVID-19," shpjegoi drejtori i Shërbimeve të Urgjencës, Fernando Simon.
Të dielën, Spanja njoftoi se gjithsej 28.752 pacientë kanë vdekur si pasojë e koronavirusit, transmeton KP-ja.
"Dallimi prej 1.900 vdekjeve është i madh, ne po mundohemi ta kontrollojmë, këto janë të dhënat që kemi në dispozicion", shtoi Simon.
Ministria e Shëndetësisë rishikoi edhe numrin e rasteve me infeksion, por ndryshimi është shumë më i vogël sesa numri i vdekjeve.
"Kjo ndodh gjatë të gjitha epidemive kur për shkak të zhvillimeve kemi shumë pak kohë për të kontrolluar të dhënat", shpjegoi Simon.