Policia spanjolle ka zbuluar një fabrikë të jashtëligjshme të duhanit që ishte ndërtuar katër metra nën brendësi të një ferme në Malaga. Së paku 20 persona, përfshirë edhe përgjegjësin, janë arrestuar gjatë bastisjes së kësaj fabrike.
Fabrika që kishte tunele dhe kishte vetëm një hyrje të fshehtë mund të prodhonte deri në 3 mijë e 500 cigare në orë. Në këtë fabrikë ishin të angazhuar gjashtë ukrainas që po jetonin në kushte të mjerueshme, raporton KTV.
Shef i këtij grupi kriminal ishte një britanik 30-vjeçar, që ishte i kërkuar në Britani për krime të lidhura me kontrabandë.
Gjatë bastisjes janë sekuestruar 153 mijë pako cigaresh, 17 mijë e 600 kilogramë duhan, 20 kilogramë hashash dhe 144 kilogramë marihuanë. Përveçse prodhonte cigare, kjo fabrikë kishte një plantacion kanabisi.