Botë

Spanja i fton turistët nga korriku

Spanja i ka bërë thirrje pushuesve të hënën që të kthehen nga korriku, ndonëse biznesi i turizmit është skeptik se mund të shpëtohet stinori i verës, shkruan agjencia Reuters.

Shteti i dytë më i vizituar në botë ka mbyllur dyert dhe plazhet në mars për të luftuar pandeminë COVID-19, duke caktuar masën e karantinës dyjavore për vizitorët e huaj. Por, kjo masë do të largohet nga 1 korriku, është njoftuar nga qeveria.

“Më e keqja është prapa nesh”, ka shkruar ministrja e Punëve të Jashtme, Arancha Gonzalez Laya, në Twitter. “Në korrik ne gradualisht do të hapim Spanjën për turistët ndërkombëtar, do të heqim karantinën, do të garantojmë standardet më të larta të sigurisë shëndetësore. Po shikojmë para të ju presim!”

Spanja zakonisht vizitohet nga afro 80 milionë turistë çdo vit, ku turizmi është përgjegjës për 12 për qind të të hyrave të shtetit, e po ashtu në këtë sektor është i punësuar një numër i madh. Anulimi i stinorit të verës do të nënkuptonte goditje të rëndë.

Baret dhe restorantet në Madrid e Barcelonë janë lejuar të hapin hapësirat e jashtme, por me gjysmë-kapaciteti. Por, shumica kanë qëndruar të mbyllura, pasi që pronarët nuk e kanë parë të leverdishme.

Në ato që janë hapur, pasi stafi me maska e doreza kanë pastruar dhe kanë vendosur tavolinat sipas standardeve të kërkuara, ekzistonte një frymë pesimiste.

“Është e komplikuar, nuk do të jemi në gjendje të shpëtojmë stinorin e turizmit, në rast se të huajt nuk vijnë”, thotë Alfonso Gomez, një pronar restoranti në Barcelonë.

Në rrugë, qytetarët po shijojnë pak nga liria.

“Thjeshtë është mirë që po kthehemi në normalitet, pas një kohe të gjatë”, ka thënë Rosie, një shkrimtare dhe qytetare nga Barcelona.

Qytetarët në Madrid ishin të lumtur që u lejuan të ktheheshin në parkun kryesor Retiro.

“Është shumë mirë, vërtetë po shikoja para për këtë. Po ashtu edhe qeni im!” – ka thënë dizajnerja Anna Pardo, ndërsa po ecte në park.

Derisa shumica e nxënësve në Spanjë ende duhet të mësojnë online, disa shkolla janë rihapur në rajonin verior Bask. Temperaturat e nxënësve janë kontrolluar ndërsa ata janë futur me maska.

Spanja ka regjistruar 28.752 të vdekur nga koronavirusi dhe 235.772 të infektuar. Por, numri i të vdekurve ka rënë në më pak se 100 në ditë, në javën e fundit.

Mundësia e kthimit të turizmit nga korriku ka rritur aksionet e lidhura me turizëm.

Jose Carlos Ramon, kreu i asociacionit të restoranteve të Madridit, AMER, ka thënë se vetëm një në katër bare apo restorante në Madrid kanë tarraca dhe rihapja është e shtrenjtë. Në Spanjë në tërësi, vetëm rreth 15 për qind janë rihapur.

Qeveria do të diskutojë të martën se si të vazhdohet me zbutjen graduale të masave kufizuese, pas rritjes së tensioneve mes rajoneve dhe qeverisë qendrore.