Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Socialdemokratët me epërsi të lehtë në prag të zgjedhjeve gjermane

Socialdemokratët e Gjermanisë kanë epërsi të lehtë kundrejt CDU-së konservative të Angela Merkelit, kanë treguar rezultatet e anketimeve të së martës, duke paralajmëruar se zgjedhjet e së dielës do të jenë një betejë e fortë federale.

SPD-ja, kandidati i së cilës për kancelar, Olaf Scholz, aktualisht është zëvendës i Merkelit dhe ministër Financash në koalicionin e madh, ka ruajtur 25 për qind të mbështetjes në anketimin e kryer nga Forsa për televizionet RTL dhe n-tv.

Përkrahja e aleancës CDU-CSU, kandidati i së cilës për kancelar është Armin Laschet, nuk e ka kaluar 22-përqindëshin. Partitë tjera nuk kanë ndryshuar në anketime, me të Gjelbrit që gëzojnë 17 për qind të përkrahjes, krahasuar me Demokratët e Lirë pro-biznesit me 11 për qind dhe AfD-në e së djathtës ekstreme me 11 për qind dhe të Majtën antikapitaliste me 6 për qind.

Forsa ka projektuar se SPD-ja do t’i fitojë 206 mandate në legjislaturën e ardhshme në Bundestag, pasuar nga aleanca CDU/CSU me 185 sosh, të Gjelbrit me 140, Demokratët e Lirë dhe AfD-ja me 91 secila dhe në fund e Majta me 49 deputetë