Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka cilësuar si jashtëzakonisht serioz raportimin e transmetuesit shtetëror danez DR se Agjencia amerikane e Sigurisë Kombëtare (NSA) ka shfrytëzuar partneritetin me njësinë e Inteligjencës së Jashtme të Danimarkës për të spiunuar zyrtarët e lartë të shteteve evropiane, mes të cilëve edhe kancelaren gjermane, Angela Merkel
Franca dhe Gjermania kanë kërkuar të hënën “qartësi të plotë” rreth një raporti, i cili ka pretenduar se një prej agjencive daneze të Inteligjencës ka ndihmuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës në spiunimin e disa zyrtarëve të lartë evropianë, përfshirë kancelaren gjermane Angela Merkel, ka thënë presidenti francez, Emmanuel Macron.
Shteti i tij e ka cilësuar si jashtëzakonisht serioz raportimin e transmetuesit shtetëror danez DR se Agjencia amerikane e Sigurisë Kombëtare (NSA) ka shfrytëzuar partneritetin me njësinë e Inteligjencës së Jashtme të Danimarkës për të spiunuar zyrtarët e lartë të shteteve evropiane.
“Po qe se informatat janë të sakta”, ka thënë Macron gjatë një deklarate për shtyp të dhënë pas samitit virtual gjermano-francës, “atëherë praktikat e tilla janë të papranueshme midis aleatëve dhe aq më pak të arsyeshme midis aleatëve dhe partnerëve evropianë”.
Zbulimet se NSA-ja ka përgjuar telefonatat e Merkelit ishin raportuar fillimisht në vitin 2013, pasi ish-kontraktuesi i NSA-së dhe sinjalizuesi Edward Snowden kishte ndarë dokumente me të përditshmen britanike “The Guardian”, në të cilat bëhej e ditur se një zyrtar amerikan ia kishte dorëzuar agjencisë 200 numra telefonash, përfshirë edhe ato të liderëve botëror, për monitorim nga agjencia. Raporti nuk ka specifikuar emrat e ndonjërit prej 35 liderëve botërorë që pretendohej se figuronin në listë. Megjithëkëtë, disa muaj pas raportimit fillestar, Qeveria gjermane kishte njoftuar publikisht se posedonte informata që sugjeronin se SHBA-ja mund ta ketë monitoruar telefonin celular të Merkelit.
Zyra e Prokurorit Federal në Gjermani ka iniciuar hetime rreth pretendimeve, por ka hequr dorë prej tyre më 2015, duke pretenduar se nuk ka zbuluar dëshmi të mjaftueshme për inicimin e suksesshëm të persekutimit.
Edhe
Afera e spiunimit: Norvegjia thërret në konsultime zyrtarin e Ambasadës amerikane
DR-ja daneze ka bërë të ditur të dielën se Shërbimi i Inteligjencës së Mbrojtjes në Danimarkë (FE) kishte nisur hetimet e pavarura më 2017 për të përcaktuar nëse NSA-ja ka shfrytëzuar partneritetin me të, si dhe kabllot daneze të internetit në dhe jashtë Danimarkës për t’i spiunuar zyrtarët e lartë në Evropë, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters.
DR-ja ka kontaktuar me nëntë burime anonime, të cilat kanë qenë të afërta me hetimet e FE-së.
“Qeveria daneze nuk mundet dhe nuk do të komentojë rreth spekulimit të mediave lidhur me shërbimet e Inteligjencës”, ka thënë ministrja daneze e Mbrojtjes, Trime Bramsen, në një deklaratë për agjencinë amerikane të lajmeve CNN. “Qëndrimi i Qeverisë daneze është i qartë – shënjestrimi sistematik i partnerëve tanë të afërt është i papranueshëm. Qartazi, ky është një parim i kahershëm, të cilit autoritetet daneze i përmbahen edhe më tutje”, ka thënë ajo.
FE-ja ka refuzuar kërkesat e CNN-it për të komentuar rreth raportit. Njëjtë ka bërë edhe NSA-ja.
Një zëdhënës i Merkelit ka thënë se Qeveria gjermane është duke kërkuar informata shtesë mbi çështjen.
“Qeveria federale ka ndjekur me vëmendje mbulimet në media dhe është vënë në kontakt me të gjitha autoritetet relevante ndërkombëtare dhe kombëtare për sigurimin e qartësisë rreth çështjes”, ka thënë zëdhënësi i Merkelit, Steffen Seiber, gjatë një konference për media në Berlin.
Edhe
Gjermania i kërkon sqarime SHBA-së për përgjimin e Merkelit
Zyrtarët e lartë në Suedi, Francë dhe Norvegji kanë qenë gjithashtu në shënjestër të spiunimit nëpërmjet qarqeve të informimit danez, ka treguar hulumtimi i DR-së, ka raportuar Reuters. Raporti i DR-së ka zbuluar gjithashtu se NSA-ja kishte spiunuar edhe ministrin e atëhershëm të Jashtëm të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i cili tani është president i vendit, si dhe ish-liderin opozitar, Peer Steinbruck.
DR-ja ka raportuar po ashtu se Inteligjenca ka mbledhur të dhëna nëpërmjet një analize të kryer në softwaren e njohur si Xkeyscore, të zhvilluar nga NSA-ja. Agjencia Reuters ka raportuar se NSA-ja “ka përgjuar bisedat telefonike, mesazhet dhe komunikimet me shkrim të dërguar dhe të pranuar nga telefonat e zyrtarëve në shtetet fqinje”. \ CNN