Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Skandal me prokuroren speciale në Shkup, dyshohet se shiti përgjimet për të bërë shantazh

Korrupsioni dhe shantazhet në Maqedoninë e Veriut kanë përfshirë në një skandal të përmasave të mëdha krerët e gjyqësorit, si dhe disa politikanë e biznesmenë.

Pronari i një televizioni në Shkup Bojan Jovanovski, i njohur ndryshe si Boki 13 së bashku me shtetasin Zoran Milevski – Kiçec kanë siguruar disa përgjime të biznesmenëve dhe politikanëve nga Prokuroria Speciale, madje dyshohet se i kanë siguruar nga dora e prokurores speciale Katica Janeva dhe i kanë përdorur ato si shantazh me qëllim që të zhvatin para nga persona të përfshirë në përgjime, kryesisht biznesmenë.

Të dy të dyshuarit janë arrestuar.

Pronari i televizionit Boki 13 dyshohet ndër të tjera se i ka marrë 1,5 milionë euro biznesmeni Orce Kamçev. Ky i fundit një biznesmen i fuqishëm me shtetësi edhe bullgare, i cili njihet si një njeri i afërt i kryeministrit bullgar Bojko Borisov dhe një financues i fushatave të tij zgjedhore. Sipas Prokurorisë, Kamçevi ua ka dhënë paratë, ndërsa si dëshmi ekzistojnë audio dhe video-regjistrime.

Skandali i quajtur Reket mori përmasa të mëdha me përfshirjen e Sofjes zyrtare, ku sipas mediave maqedonase dhe bullgare prej disa muajve agjentë bullgarë kanë operuar në Shkup për të zbardhur përfshirjen e kryeprokurores dhe pronarit të televizionit 1TV në këtë skemë korrupsioni dhe shantazhi.

Ndërkohë kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka hedhur poshtë pretendimet e ndërhyrjes së kryeministrit bullgar Borisov në këtë çështje. Këtë e ka deklaruar Kryeministri Zoran Zaev në intervistë për një media bullgare, i pyetur për rastin e fundit që drodhi themelet e shtetit. Ndërkohë sipas mediave bullgare, Borisov ka kërkuar që mos ti preket as një fije floku mikut të tij Orce Kamçevit.

Ndërkohë Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski kërkoi nga organet kompetente që të zbardhin sa më shpejt rastin “Reket” dhe të mos lihet hapësirë për dyshim.

Edhe Maqedoni e Veriut: 7 vjet burg për ish-kryeprokuroren e posaçme, Katica Janeva Botë Maqedoni e Veriut: 7 vjet burg për ish-kryeprokuroren e posaçme, Katica Janeva

Tashmë prokuroria po heton dhe dy telefonat celularë të prokurores special Katica Janeva, nëse ajo ka biseduar në telefon me Boki 13 për videopërgjimet e dhëna dhe për marrje parash në këmbim.

Katica Janeva, në postin e prokurores speciale u emërua më 15 shtator 2015, me mbështetje edhe të opozitës. Qëllim kryesor të punës së saj kishte hetimin e aferës së përgjimeve, që ishte publikuar në shkurt të 2015-ës nga lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev, tani kryeministër. Gjatë kësaj periudhe, Prokuroria Speciale ka ngritur 17 padi penale kundër 94 personave. Në mesin e atyre që janë paditur e që janë dënuar është edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski.

Dhe tashmë listës i është shtuar edhe ajo vetë/VizionPlus.