Policia në Gjermani ka gjetur më shumë se 100 sirianë nëpër apartamente, të cilat i ka bastisur të martën nën dyshimet se po zhvillohej trafikim i emigrantëve.
Më shumë se 350 policë federalë kanë marrë pjesë në bastisje si pjesë të një hetimi të gjatë.
Sirianët që ishin sjellë në Gjermani nuk kishin asnjë leje qëndrimi, kanë njoftuar mediat gjermane.
Policia ka arrestuar pesë të dyshuar, tre në veri të qytetit Stade dhe dy në Gladbeck.
Të pesë personat ishin azilkërkues sirianë që po jetonin në Gjermani.
Emigrantët sirianë besohet se kanë paguar nga 3 mijë deri në 7 mijë euro që të hynin ilegalisht në Gjermani.
Të dyshuarit me paratë e trafikimit kanë blerë sasi të madhe ari.
Bastisja e këtyre apartamenteve u urdhërua nga policia federale në Aeroportin e Frankfurtit nën dyshimin për krim të organizuar.
Cak i bastisjeve ishin qytetet në veri dhe perëndim të Gjermanisë, por janë bastisur disa apartamente edhe në Bavari.