Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Siria hyn në vitin e dhjetë të luftës

Foto: Reuters

Turqia dhe Rusia kanë përfunduar patrullimin e parë të përbashkët ushtarak përgjatë një rruge strategjike në rajonin veriperëndimor të Sirisë, ka bërë të ditur të dielën Ministria turke e Mbrojtjes në ditën kur Siria ka hyrë në vitin e dhjetë të luftës civile që është kthyer në një përplasje ndërmjet shteteve të rajonit dhe fuqive botërore.

“Sipas kornizës së marrëveshjes së Moskës, patrullimi i parë i përbashkët tokësore turko-rus përgjatë rrugës magjistrale M4 është kryer me kontributin e aseteve ajrore dhe tokësore”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e ministrisë turke, raporton “Al-Jazeera”, transmeton KOHA.

Më parë, agjencitë ruse të lajmeve kanë raportuar se Moska kishte dërguar policinë ushtarake dhe makineri të blinduar në parullim, që nisi prej vendbanimit të Tronbas në krahinën e Idlibit, bastioni i fundit i opozitës në vend.

Patrullimet janë pjesë e marrëveshjes së armëpushimit të arritur në fillim të muajit nga Turqia, që mbështet grupe të caktuara opozitare, dhe Qeverisë siriane, aleate e Rusisë, për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës në Idlib, që kishte zhvendosur rreth një milionë persona dhe solli dy shtetet në prag të konfrontimit.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë më parë gjatë muajit se vendi i tij nuk përjashtonte përfshirjen edhe më të fuqishme ushtarake në Idlib nëse nuk do të arrihej marrëveshja e armëpushimit.

Sipas ujdisë, Turqia dhe Rusia kanë ndërmend të krijojnë një korridor sigurie në dy anët e magjistrales kritike M4, që lidh lindjen dhe perëndimin e Sirisë.