Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Putini dhe Erdogani merren vesh për armëpushim në Idlib

Foto: Reuters

Turqia dhe Rusia janë dakorduar të enjten për një marrëveshje armëpushimi në rajonin sirian, Idlib, kanë njoftuar liderët e dy vendeve pas më se gjashtë orësh bisedime në Moskë për frenimin e konfliktit që ka nxitur zhvendosjen e afro një milion civilëve brenda tre muajsh.

Presidenti rus, Vladimir Putin, duke qëndruar pranë homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se shpreson që marrëveshja të shpjerë drejt ndaljes së operacioneve ushtarake në bastionin e fundit më të madh të rebelëve sirianë në veriperëndim të shtetit, transmeton Reuters, raporton Koha.

“Shpreh optimizëm se këto marrëveshje do të shërbejnë si bazë e fortë për ndaljen e aktivitetit ushtarak në zonën e sigurisë në Idlib dhe për përfundimin e vuajtjeve të popullatës civile, si dhe të krizës humanitare në rëndim”, ka thënë Putini. Nga ana tjetër, Erdogan tha para gazetarëve se armëpushimi do të hyjë në fuqi që prej mesnatës së të enjtes.

“Do të bashkëpunojmë në furnizimin e ndihmave për sirianët në nevojë”, ka thënë ai, duke shtuar se Turqia megjithëkëtë e ruan të drejtën “që t’iu përgjigjet të gjitha sulmeve të regjimit sirian në terren”.

Rusia dhe Turqia mbështesin palët e kundërta në konfliktin nëntëvjeçar të Sirisë, me ç’rast Moska përkrah presidentin Bashar al-Assad e Turqia grupet rebele. Ujditë e mëhershme për përfundimin e luftimeve në Idlib kanë dështuar.

Ofensiva e fundit e forcave të Assadit në Idlib, mbështetur nga sulmet ajrore të Rusisë, ka nxitur atë që Kombet e Bashkuara pretenduan se mund ta prodhojë krizën më të rëndë humanitare në luftën që ka lënë me miliona qytetarë të zhvendosur dhe me qindra mijëra të vrarë.