Lajmi se njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, është zotëruesi më i madh i aksioneve në Twitter dhe se do t’i bashkohet bordit të këtij rrjet social është shumë interesant për shumë arsye, shkruan CNN të enjten.
Por ndoshta elementi më intrigues i hyrjes së Muskut në Twitter është ajo që do të thotë për ish-presidentin amerikan Donald Trump, i cili është ndaluar nga rrjeti social që nga fillimi i vitit 2021, pas trazirave të 6 janarit në Capitolin e SHBA-së.
Musku ka qenë një avokat i fjalës së lirë në internet dhe kritik ndaj asaj që ai e sheh si heshtje të disa zërave nga rrjetet sociale. Për shkak të kësaj, disa republikanë të profilit të lartë nisën presionin ndaj Muskut për ta rikthyer Trumpin dhe të tjerët në Twitter.
Twitter ka thënë këtë javë se politika e ndalimit nuk do të ndryshonte menjëherë dhe ardhja e Muskut në bordin e kompanisë nuk do ta ndryshonte këtë.
Por nëse Musk do ta bindte Twitterin ta rimendonte ndalimin për Trumpin, njeriu më i pasur në botë do t’i hidhte një litar të madh shpëtimi ish-presidentit që konsiderohet deri diku kontrovers.
Edhe
Musk thotë se do ta kthente Trumpin në Twitter
Trump u përpoq ta reklamonte një rrjet social të krijuar posaçërisht për të, pas përjashtimit nga ato kryesore, si alternativë konservatore. “Truth Social” është një rrjet social i reklamuar nga Trumpi, por që pavarësisht fjalëve se do të ishte funksional deri në fund të marsit, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Reuters madje raportoi në fillim të kësaj jave se dy drejtues të lartë të Truth Social kishin lënë postet e tyre. Si duket, "eksperimenti" i Trumpit ka dështuar deri tash.
Ka qenë prej kohësh e qartë se rrjetet sociale kanë qenë pika e fortë e Trumpit. Këtë ai e kishte konfirmuar edhe pasi fitoi zgjedhjet në vitin 2016.
Deklaratat e tij, të cilat i publikonte çdo ditë në “stil të mitralozit”, lexohen ende. Zëdhënësja e tij, Liz Harrington, poston çdo “tweet” të vjetër të Trumpit në llogarinë e saj.
Trumpi do të përfitonte nga shansi për t’u rikthyer në Twitterr dhe për t’i rikthyer 88 milionë ndjekësit e tij, pasi ai ka përsëritur vazhdimisht ndikimin që kishte nëpërmjet kësaj platforme dhe e di se sa thelbësor ka qenë Twitteri për ndërtimin dhe ruajtjen e personalitetit të tij.
Edhe
Elon Musk, fituesi i dytë i zgjedhjeve pas Trumpit
“Unë fitova”, kishte thënë Trump pas fitores së tij më 2016. “Mendoj se rrjetet sociale kanë më shumë fuqi sesa paratë që shpenzuan dhe mendoj se ndoshta deri diku e kam vërtetuar këtë”.
Trumpi nuk e ka harruar atë mësim. Dhe ai do të donte të kthehej në Twitter përpara se të fillonte gara e vitit 2024.