Në të gjithë Lindjen e Mesme, shtetet po përdorin muajin e shenjtë të Ramazanit për të mbajtur takime dhe për të kryer diplomaci që synojnë “shërimin e përçarjeve” në rajon, shkruan ArabNews.
Kjo është mjaft e rëndësishme pasi shumë vende që kanë pasur tensione në të kaluarën, tani po përpiqen të punojnë së bashku drejt një epoke të re të diplomacisë. Shumë vende të përfshira besojnë se kjo do të rezultojë në stabilitet.
Për shembull, ambasadori i Arabisë Saudite në Irak mbajti një takim me zyrtarët iranianë gjatë iftarit.
Në Norvegji, ambasadorja saudite Amal Yahya al-Moallimi ftoi ambasadorin iranian Ali Reza Yousefi në një iftar, së bashku me krerët e misioneve diplomatike arabe dhe islamike të akredituara në shtetin nordik.
“Diplomacia e iftarit” zhvillohet ndërsa Irani dhe Arabia Saudite punojnë drejt një pajtimi që do të përfshijë rihapjen e zyrave diplomatike dhe rritjen e tregtisë dhe ndërveprimeve.
“Nënshkrimi i marrëveshjes dhe bisedat telefonike çuan në një atmosferë miqësore mes anëtarëve të trupit diplomatik të dy vendeve në mbarë botën. Në muajin e Ramazanit, në iftar është mbajtur takimi i ambasadorëve të dy vendeve në Irak dhe Norvegji, i cili konfirmon progresin në aktivizimin e Marrëveshjes së Pekinit dhe kthimin e marrëdhënieve në normalitet”, shkruan ArabNews, ndërsa rëndësi këtyre takimeve iu dhanë edhe mediat iraniane.
Arabia Saudite ka filluar programet e iftarit në Shri-Lanka dhe Pakistan. Ndërsa ato janë krijuar për të promovuar unitetin dhe zgjerimin islamik, ndihmojnë gjithashtu imazhin e Arabisë Saudite.
Diplomati turk në Egjipt, Salih Mutlu Sen, organizoi iftar. Kjo tregon përpjekjen e Turqisë për të përmirësuar marrëdhëniet me Egjiptin. Për shumë vite, Ankaraja kishte marrëdhënie të ftohtë me Egjiptin, por viti i fundit ka sjellë më shumë përpjekje për pajtim. Ramazani përdoret si një mënyrë që Ankaraja të kontaktojë me njerëz të rëndësishëm në Egjipt.
Sipas një raporti nga Dalia Ziada, drejtoreshë e Qendrës MEEM për Studimet e Lindjes së Mesme dhe Mesdheut Lindor, diplomati turk Salih Mutlu Sen ka thënë se “marrëdhëniet tona historike me rrënjë të thella nuk janë prishur kurrë”. “Tani është në një kthesë të re me fokus për një të ardhme më të mirë për të dy popujt”, ka deklaruar Sen.
Sen u emërua në Kajro vitin e kaluar dhe Ankaraja ka thënë se do të përmirësonte marrëdhëniet me Egjiptin në nivel ambasadorësh në mes të marsit, pasi nuk kishte një ambasador në Egjipt për vite me radhë. Sen ishte ish-përfaqësues i Turqisë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik në periudhën 2015-2020. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu është planifikuar të udhëtojë së shpejti në Egjipt.
Izraeli gjithashtu organizoi iftar për ambasadorët e vendeve arabe, por edhe të Shqipërisë dhe Kosovës të dielën.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Izrael po ashtu organizoi një iftar ku ka pasur të ftuar ambasadorët e vendeve arabe.