Botë

Si një bretkosë në një kusi me ujë valë

Mbi problemet e Zvicrës me Bashkimin Europian. Një analizë e revistës gjermane “Der Spiegel”.

Zvicra i ka vetëm 8.5 milionë banorë, por ajo është partneri i katërt tregtar i Bashkimit Europian. Nga ana tjetër BE është partneri kryesor tregtar i Zvicrës.

Raporti i Zvicrës me BE-në është i komplikuar. BE dëshiron që Zvicra të bëhet anëtare e BE-së. Por vetëm 13 për qind e zviceranëve duan të bëhen pjesë e BE-së. Ata nuk duan të dorëzojnë kompetenca në Bruksel. Autonomia komunale, kantonale dhe konfederale vlerësohet lart në Zvicër.

Raportin e saj me BE-në Zvicra e ka rregulluar me marrëveshje bilaterale me Brukselin. Zvicra ka qasje në tregun e përbashkët europian, ndërsa shtetasit e BE-së mund të punojnë në Zvicër pa pengesa burokratike.

Por marrëveshjet bilaterale janë duke skaduar dhe BE kërkon që raportin me Zvicrën ta rregullojë me një marrëveshje kornizë. Sipas kësaj marrëveshjeje Zvicra do të duhej të zbatonte të gjitha vendimet legjislative të BE-së dhe jo nga rasti në rast, sipas interesit. Kontestet do t’i zgjidhte Gjykata Europiane, ndërsa Zvicra do të hapte edhe më shumë tregun e saj për firma nga BE.

Në nëntor negociatorët zviceranë dhe ata të BE-së finalizuan një marrëveshje. Por pastaj Zvicra u tërhoq nga marrëveshja për shkak të “diferencave të thella” me BE-në, veçanërisht sa i përket qarkullimit të lirë të personave dhe mbrojtjes se rrogave. Zvicra frikësohet se hapja e plotë e tregut të punës do të sjellë në Zvicër edhe turistë që duan të përfitojnë nga sistemi social i Zvicrës. Në Zvicër punojnë 1,4 milionë qytetarë të BE-së, rreth 16 për qind e popullsisë së Zvicrës. Ekspertët e ekonomisë e përshkruajnë situatën e Zvicrës me një bretkosë në një kusi me ujë. Ndërsa uji ngrohet ngadalë, bretkosa nuk kërcen nga kusia, por pret dhe ngordh.

Pasojat e para i kanë parë firmat farmaceutike zvicerane. 1400 ndërmarrje farmaceutike zvicerane kanë një qarkullim prej 18 miliardë franga (të dhënat janë nga viti 2019). Në maj hyri në fuqi një direktivë e re e BE-së për prodhime mjekësore. Që nga atëherë produktet e certifikuara në Zvicër nuk njihen automatikisht nga BE. Firmat zvicerane duhet t’i certifikojnë sërish prodhimet e tyre në BE. Deri më tani ky certifikim ka kushtuar 114 milionë franga. Në programin e hulumtimeve shkencore “Horizon Europe” BE e ka degraduar Zvicrën në statusin e vendit të botës së tretë. Shkencëtarët zviceranë tani kanë pengesa për të marrë pjesë në programin shkencor të BE-së, i cili peshon 95 miliardë euro dhe është programi financiarisht më i madh në botë për hulumtime shkencore.

Përgatiti: E.R.