Derisa Shtetet e Bashkuara dhe Evropa po rrisin sanksionet e tyre ndaj Rusisë, konsumatorët perëndimorë së shpejti pritet të përballen me kosto në rritje.
Çmimet më të larta janë modeste në krahasim me shkatërrimin e jetës dhe pronës në Ukrainë. Mirëpo, presionet e çmimeve vijnë në një kohë të keqe kur norma e inflacionit të Amerikës është tashmë në nivelin më të lartë gati 40-vjeçar. Dhe presionet mbi buxhetet e familjeve mund të minojnë mbështetjen e gjerë për sanksionet në mesin e popullatës më të gjerë në Perëndim.
Nafta dhe gazi i prodhuar nga Rusia përbën më pak se 4 për qind të karburantit të konsumuar nga amerikanët. Por çmimi mesatar i benzinës së zakonshme është rritur 8 cent për gallon, në 3.61 dollarë, që nga një ditë para se Rusia të pushtonte Ukrainën dhe çmimet e shitjes me shumicë janë rritur edhe më shumë. Kjo do të thotë që brenda dy javësh, gazi pritet të arrijë mesatarisht 4 dollarë për gallon në mbarë Shtetet e Bashkuara për herë të parë që nga viti 2008.
"Është një treg botëror”, ka thënë Tom Kloza, kreu global i analizës së energjisë për Shërbimin e Informacionit të Çmimeve të Naftës, i cili gjurmon të dhënat e gazit për Asociacionin Amerikan të Automobilave, raporton CNN.
Pavarësisht sanksioneve, është ende e ligjshme blerja e naftës dhe gazit natyror rus. Por pjesa më e madhe e tij është duke mbetur e pashitur. Shumë tregtarë nuk janë të gatshëm ta blejnë atë për shkak të vështirësisë në kryerjen e transaksioneve me bankat ruse të sanksionuara.
Lufta mund të bëjë që Rezerva Federale e SHBA-së dhe bankat e tjera qendrore të tërhiqen nga përpjekjet e tyre për të frenuar inflacionin nëpërmjet normave më të larta të interesit. Pasiguria rreth ndikimit të përgjithshëm ekonomik mund t'i bëjë rregullatorët edhe më të kujdesshëm.