Botë

Shumë para kohe: Republikanët mësyjnë garën për 2024-n

Zgjedhjet e mesmandatit janë më shumë se një vit larg, ndërsa kanë mbetur edhe plot 1.225 ditë deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Por republikanët që kanë kthyer sytë kah gara për Shtëpinë e Bardhë nuk po humbin kohë në hapërimin drejt pozitës së lartë, në atë që mund ta prodhojë një fushëbetejë jashtëzakonisht të ngjeshur kandidatësh

Vetëm gjatë javës së shkuar, Nikki Haley gostiti aktivistë në Iowa, Mike Pence priti donatorë në California dhe Donald Trumpi iu rikthye tubimeve në skenë, duke e sprovuar veten në fushatën e tretë për Shtëpinë e Bardhë.

Zgjedhjet e mesmandatit janë më shumë se një vit larg, ndërsa kanë mbetur edhe plot 1.225 ditë deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Por republikanët, që kanë kthyer sytë kah gara për Shtëpinë e Bardhë, nuk po humbin kohë në hapërimin drejt pozitës së lartë, në atë që mund ta prodhojë një fushëbetejë jashtëzakonisht të ngjeshur kandidatësh.

Këto beteja politike vetëm sa do të intensifikohen gjatë javëve në vijim, veçmas në Iowa, shtet ky ku mbahen votimet e para definuese dhe ku ungjillorët konservatorë luajnë rol domethënës në përcaktimin e drejtimit të republikanëve.

Senatori Tom Cotton nga Arkansasi është në radhë për të bërë vizita të martën, përderisa të tjerët, përfshirë Pencen, guvernatoren e Dakotas Jugore Kristi Noem dhe ish-sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, presin që të kenë paraqitje gjatë korrikut.

Vrulli i aktiviteteve përbën një shenjë se përbrenda Partisë Republikane nuk ekziston një favorit i qartë, po qe se Trump zgjedh që të mos bëjë fushatë për garën e 2024-s.

“Duket sikur është definitivisht herët, por nuk duket të jetë një ide e keqe, duke e pasur parasysh situatën”, ka thënë Mike DuHaime, strateg i kahershëm i republikanëve. “Partia ka ndryshuar, votuesit janë duke ndryshuar dhe mendoj se procesi ka ndryshuar. Dhe mendoj se shumë kandidatë e kanë kuptuar këtë gjë”.

Image

Hija e Trumpit

Hë për hë, çështja qendrore në politikat republikane është nëse Trumpi, i cili vazhdon t’i çojë përpara gënjeshtrat rreth humbjes së tij të vitit të shkuar kundruall Joe Bidenit, do të kandidojë sërish. Ish-presidenti ka thënë se vendimin do ta marrë pas zgjedhjeve të mesmandatit vitin e ardhshëm.

Në ndërkohë, ai përballet me telashet ligjore në rritje, përfshirë mundësinë që prokurorët në Manhattan të ngrenë padi kriminale kundër kompanisë së tij qysh këtë javë. Trumpi është po ashtu nën hetimet e prokurorit të Qarkut në Georgia rreth përpjekjes për të ushtruar presion mbi zyrtarët zgjedhorë ashtu që ata t’i ndryshojnë rezultatet në favor të tijin.

Megjithëkëtë, Trumpi, që u largua nga detyra në janar nën hijen e impiçmentit rreth nxitjes së kryengritjes në Capitol, po flirton me një të ardhme të re politike. Duke iu rikthyer skenës së tubimeve në fundjavë për të parën herë si një qytetar i thjeshtë, Trumpi me gjithçka i ngjasonte një kandidati teksa turma entuziaste në Ohio brohoriste: “Edhe katër vjet!”.

“I fituam zgjedhjet dy herë”, tha ai. “Dhe ka të ngjarë që t’i fitojmë edhe për të tretën”.

Spektri i Trumpit ka qenë veçanërisht sfidues për republikanët si Pence. Si i krishterë ungjillor konservator dhe dikur nënpresident besnik i Trumpit, Pence mund të duket i përshtatshëm për shumë aktivistë të partisë. Por vendimi i tij për ta pasuar procesin kushtetues dhe certifikuar fitoren e Bidenit zemëroi shumëkënd në parti.

Megjithëse ende i lartëson të arriturat e Trumpit, Pence ka punuar së fundi për ta shpërfaqur vetë identitetin e tij, duke u shkëputur nga ish-shefi i tij veçmas për sa i përket peshës së trazirave të përgjakshme të 6 janarit, të cilat e detyruan atë që të kërkonte strehim në një vend të sigurt.

Veprimi balancues i tij u shpërfaq më theksueshëm të enjten e shkuar, kur Pence mbajti fjalim në bibliotekën presidenciale Ronald Reagan para turmës së më shumë se 800 personave.

Pas kritikave e përplasjeve për javë të tëra, Pence në Florida u tregua dukshëm i prerë në adresimin e kundërshtimit më të fuqishëm deri më tani rreth insistimit të vazhdueshëm të Trumpit për rezultatet e zgjedhjeve të fundit. Shumë prej mbështetësve të Trumpit vazhdojnë ta fajësojnë Pencen për humbjen e ish-presidentit, ani pse ai nuk kishte kompetenca për ta zmbrapsur rezultatin.

“Ç’është e vërteta, nuk ekziston asnjë ide më joamerikane sesa ajo që një person mund ta zgjedhë presidentin e Amerikës”, ka thënë Pence, duke shtuar se do të jetë “përherë krenar se e kemi kryer punën tonë, atë ditë tragjike, me rimbledhjen e Kongresit dhe përmbushjen e detyrës sonë të caktuar me Kushtetutën dhe ligjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Image

Pa favorit

Nëpër një akt të ngjashëm ka kaluar edhe Haleyi, ish-ambasadorja e Trumpit në Kombet e Bashkuara dhe guvernatore e dikurshme e Karolinës Jugore, e cila ka kritikuar ashpër ish-shefin e saj për ngjarjet e 6 janarit, porse ka shmangur që atëherë krejtësisht këtë temë.

Në darkën e së enjtes së shkuar gjatë një qëndrimi treditor në Iowa, Haleyi u prezantua para 500 aktivistëve republikanë si figurë konservatore e brezit të ardhshëm.

Sikurse Pence, edhe Haleyi e shfrytëzoi pjesën më të madhe të fjalimit duke e lavdëruar kohën në detyrë gjatë administratës Trump dhe duke ndarë anekdota për punën e saj me të.

“Kam parë personalisht, si ambasadore në Kombet e Bashkuara, se Donald Trumpi e vë Amerikën në radhë të parë, nganjëherë në mënyra prej më interesanteve”, ka thënë ajo.

Haleyi ishte po ashtu mysafire në radioemision popullor të premten.

Deri më tani, sondazhet dhe intervistat e realizuara kanë sugjeruar se votuesit veçse i kanë hyrë punës së përzgjedhjes së favoritëve të tyre, ndonëse guvernatori i Floridas, Ron DeSantis, përmendet përherë e më shpesh si një pasues i mundshëm i Trumpit. Ai është njëri prej të paktë republikanëve që ende nuk e ka vizituar Iowan sivjet.

Gjatë një organizimi të partisë republikane javën e shkuar në California, pensionisti 75 vjeç Bon Egbert e lavdëroi Trumpin, porse e vuri në dyshim se kandidimi i tij i tretë do të ishte gjë e mirë për partinë. Egberti thotë se i pëlqen ajo që sheh te DeSantisi dhe e konsideron personalitetin jo fort dominues të Pences si një pengesë para votuesve,

“Mendoj se ai do të ishte një kandidat i mirë dhe i sjellshëm”, ka thënë republikani Egbert. “Nuk mendoj se kjo do të jetë gjëja për të cilën ne kemi nevojë”.

Ish-guvernatori i Californias, republikani Pete Wilson, ka parashikuar një “garë shpirtërore” më 2024, por ka refuzuar që ta identifikojë një favorit mes kandidatëve në shfaqje.

E çfarë për sa i përket Trumpit?

“Është ky, tekefundit... vendim i tiji. Është një vendim të cilin e ndan me familjen e tij”, ka thënë Wilsoni. “Është goxha i admiruar. Kjo gjë është e dukshme pikësëpari nga ajo çfarë ndodhi. Atij ia kanë frikën dhe është demonizuar nga kjo administratë (e Bidenit)”.

Përktheu: Nita Lleshi