Rruga që shpie drejt fshatit Langroya gjarpëron përgjatë fushatave të pasura me të korra, të cilat e krijojnë përshtypjen e hershme të sofrave indiane. Ka grurë, oriz, kallam sheqeri, fara mustarde dhe një llojllojshmëri perimesh që e kanë bërë këtë cep të Indisë më të rëndësishmin bujqësor në mbarë rajonin.
Sikurse shumica e bashkëfshatarëve të tyre në Punjab, banorët e Langroyas mbijetojnë falë bujqësisë. Rreth tre të katërtat e popullatës 300 milionë banorësh të shtetit janë të përfshirë në bujqësi, teksa gruri është artikulli kryesor i prodhuar. Ama derisa Punjabi njihet si “shporta e bukës e Indisë”, aty ekzistojnë edhe sfida me bollëk.
Në listën e shqetësimeve përfshihen tharja e tokës, sëmundjet kronike, mungesa e ujit dhe epidemia e opoidëve që ka ndjellë kaos në jetën fshatare. Gjatë dy vjetëve të fundit, më shumë se 900 bujq të Punjabit kanë kryer vetëvrasje ndërsa shteti ka shkallën më të lartë të të prekurve nga kanceri në Indi, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”. Një studim i Qeverisë ka sugjeruar se më shumë se dy të tretat e amvisërive kanë të paktën nga një anëtar të familjes të varur nga narkotikët. Si shtesë e kësaj është barra e pagesës së huave që shumë bujq kanë marrë nga huadhënësit jozyrtarë nën norma të tepruara interesi.
Për krejt këto, banorët lokalë ia lënë fajin helmit.
“Jetët tona po shkatërrohen për shkak të kontaminimit të tokës dhe njerëzve”, thotë Surinder Kumar, një “sarpanch” apo prijës i fshatit Langroya. “Ka aq shumë probleme me të cilat përballemi, aq madje sa nuk dimë as nga t’ia nisim. Politikanët bëjnë shumë premtime, por në realitet bëjnë shumë pak për të na ndihmuar. Vetë shkaku i ekzistencës sonë është në rrezik”.
Në përpjekje për ta adresuar gjendjen në Punjab, një film i ri gjurmon rrënjët e problemit. Nën regji të Rehmat Rayatt dhe Leva Kwenstany, “Toxification” tregon rrëfimet e bujqve në buzë të epidemisë së kimikateve që po mbyt vendin. Rayatt, një regjisor i lindur në Britani me prejardhje nga Punjabi, ka thënë: “Bujqit po i helmojnë trupat dhe tokën e tyre. Filmi ynë e bën lidhjen direkte midis tejpërdorimit të kimikateve dhe varshmërisë nga droga. Jo vetëm se po helmohet bujqësia e Punjabit, por edhe shoqëria”.
Edhe
Punëtorët e mbetjeve elektronike në Indi përballen me rreziqe toksike për shëndetin
Punjabi përdor sasinë më të madhe të plehrave kimike në Indi. Shumica e pesticideve të spërkatura në të korrat e vendit klasifikohen në klasën 1 të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për sa i përket toksiditetit dhe janë të ndaluara në shumë vende të botës, përfshirë Evropën.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)