Shtëpia e re e Saleh Abbas, një apartament me dy dhoma gjumi që e ndan me gruan dhe tre fëmijët në Ngarannam, qytet i vogël dhe me lagështi në shtetin verilindor nigerian të Bornos, është burim gëzimi për të mbijetuarin e “Boko Haramit”.
Konaku i bujkut 29-vjeçar ka një dhomë pritjeje që i shpie vizitorët në një oborr të madh, ku ai planifikon të mbajë bagëti dhe të rifitojë pasuritë që humbi shtatë vjet më parë.
Një natë në vitin 2015, “Boko Haram”, grup militant, pushtoi Ngarannam, pikërisht kur Abba mbaroi darkën. Anëtarët e grupit të armatosur plagosën dhe vranë dhjetëra njerëz. Një apartament me gjashtë dhoma gjumi në tokën stërgjyshore të familjes së tij u shkatërrua nga një bombë, sikur se dhjetëra shtëpi të tjera në komunitet.
Kjo shpiu në një udhëtim për familjen Abba që eci zbathur nëpër shkurre për tre net derisa mbërritën në Maiduguri, vendlindja e “Boko Haramit” dhe kryeqyteti i Bornos.
Gjashtë vjet nëpër kampe
Gjatë shtatë vjetëve të ardhshëm, ata u zhvendosën nëpër tri kampe për personat e zhvendosur brenda vendit në Maiduguri, të varur nga ndihma për mbijetesë. "Ishte periudha më e keqe e jetës sime", tha Abba për “Al-Jazeeran”. “Kam humbur shtëpinë, jetesën dhe lirinë”.
Që nga viti 2009, “Boko Harami” ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe ka zhvendosur miliona në Nigerinë verilindore, duke krijuar një nga krizat më të rënda humanitare në botë.
Vetëm në vitin 2022, rreth 5.5 milionë njerëz janë zhvendosur në të gjithë Bornon, Adamawan dhe Yoben, tri shtetet më të prekura nga kriza, sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).
Vitin e kaluar, qeveria e Bornos njoftoi papritur mbylljen e kampeve të refugjatëve, veçanërisht në Maiduguri, dhe filloi t'i dërgonte njerëzit në qytetet e tyre të lindjes si pjesë e një programi stabilizimi. Deri më tani, kjo ka prekur më shumë se 200 mijë persona të zhvendosur brenda vendit.
"Stabilizimi ofron siguri", i tha “Al Jazeeras” guvernatori i Bornos, Babagana Zulum. “Komponenti i parë i stabilizimit është siguria, pastaj infrastruktura dhe mjetet e jetesës – të tre këta komponentë janë të orientuar drejt adresimit të shkaqeve rrënjësore të kryengritjes – të cilat nuk kufizohen në analfabetizmin, varfërinë dhe deficitin e infrastrukturës”.
“Një ëndërr e realizuar”
Programi i OKB-së për Zhvillim (UNDP), në partneritet me qeverinë nigeriane në nivel shtetëror dhe federal, tani po kërkon të rivendosë personat e zhvendosur në veri të Nigerisë dhe rajonin e Liqenit të Çadit.
I nisur në shtator të vitit 2019, projekti pilot mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe disa partnerë të tjerë, duke përfshirë qeveritë e Bornos, Adamawas dhe Yobes.
Gatishmëria e qeverisë për të luajtur një rol kryesor në projekt ka qenë e rëndësishme, tha për “Al-Jazeeran” përfaqësuesi rezident i UNDP-së për Nigerinë, Mohamed Yahya. “Nuk mund të jetë OKB-ja në krye, sepse qëllimi i përgjithshëm është të ndërtojë kontrata sociale midis njerëzve dhe qeverisë në mënyrë që njerëzit të mos simpatizojnë kryengritësit”, tha ai.
Fokusi fillestar është në nëntë komunitete.
Komuniteti i Abbas, Ngarannam, i braktisur në vitin 2015 pas sulmit të “Boko Haramit”, është mes tyre. Ndërtimi filloi në vitin 2020 dhe faza e parë përfundoi në vitin 2022. Në tetor njerëzit filluan të kthehen. Faza e dytë pritet të përfundojë në vitin 2024.
Faza e parë e projektit përfshin 360 shtëpi me dy dhoma gjumi të pajisura me soba me efikasitet energjetik dhe një banjë dhe tualet. Ka një postbllok policie dhe lagje banimi, shkollë fillore dhe akomodim për mësuesit, një dispanseri, një treg, një zonë sociale dhe një burim të ngrohtë uji me panele diellore.
Shtëpitë pritet të strehojnë 2.160 njerëz. Në fazën e dytë do të ketë edhe 140 shtëpi shtesë – 500 gjithsej.
Zyrtarët thonë se projekti është një dizajn unik arkitekturor i frymëzuar nga kultura dhe konsiderata ndaj klimës - Sahel Savanna - të zonës. Arkitektja nigeriane, Tosin Oshinowo, e cila projektoi të gjithë projektin, tha se ajo u konsultua me komunitetin për dizajnet e tyre të preferuara të shtëpive.
"Ai (projekti) ka kapur atë që ne zakonisht e quajmë pjesëmarrje publike", tha Phanuel Joshua, ligjërues i planifikimit urban dhe rajonal në Universitetin e Maidugurit. “Dizajni ka një shkrirje të kulturave Kanuri dhe Fulani/Hausa, dhe është kujdesur për disa kërkesa planifikimi dhe strehimi që do të përdoren në ndërtimin e projekteve të mëvonshme të strehimit”.
"Ne menduam se rindërtimi nuk do të kryhej derisa të shihnim dizajnin e paraqitur tek ne", tha Bulama Aji, shefi i komunitetit, për “Al-Jazeeran”. "Të shohësh rindërtimin e Ngarannamit nga themeli është si një ëndërr e realizuar".
Në tetor, pati një ceremoni për komunitetin e rindërtuar të Ngarannamit. Qindra njerëz ishin të pranishëm, duke përfshirë guvernatorin, përfaqësues të qeverisë federale dhe të BE-së.
Abba, së bashku me 100 përfitues të tjerë, u larguan me çelësat e shtëpive të reja kur mbaroi ceremonia. Ata morën gjithashtu një paketë fillestare e cila përfshinte dy qese me nga 50 kilogramë misër, 50 kilogram qese oriz, 3.7 litra vaj, batanije, një grup materialesh për veshje dhe 100 mijë naira nigeriane (228 dollarë), për të rindërtuar jetën e tyre.
"Unë jam mirënjohës", tha Abba. “Nuk e prisja që ata të ndërtonin shtëpinë – nga Maiduguri në Mafa – ka fshatra të tjerë të prekur nga rebelimi i armatosur, por ata zgjodhën komunitetin tonë”.
“Dëm indirekt”
Por disa ekspertë dhe grupe të shoqërisë civile që punojnë në rajon thonë se projekti, megjithëse me qëllime të mira, është i parakohshëm, duke marrë parasysh pasigurinë mbizotëruese në zonë.
Sipas një raporti të fundit nga Human Rights Watch, mbylljet e kampeve mund të mos vijnë nga vullneti i mirë për personat e zhvendosur, por të lidhura me aktualizimin e kornizës 25-vjeçare të zhvillimit të Bornos dhe planit strategjik të transformimit 10-vjeçar, sesa me altruizmin për të zhvendosurit.
Guvernatori Zulum, ndërsa shpalli planin në vitin 2020, tha se programi "do të nxisë stabilizimin, do të nxisë përpjekjet për rimëkëmbje dhe do të stimulojë rritjen në të gjithë sektorët në shtet".
"Agjenda e zhvillimit që ka qeveria është një ide e mirë", tha Anietie Ewang, studiuese e Nigerisë në “Human Rights Watch”. “Por në skemën e madhe të gjërave, shumë njerëz janë dëm kolateral”.
“Kjo agjendë për t'i larguar njerëzit nga ndihma humanitare tani është gjithashtu e pamenduar. Privimi i ushqimit brenda kontekstit të konflikteve është shkelje e të drejtave të personave të zhvendosur”, shtoi ajo.
Sipas raportit të HRW-së, më shumë se 200 mijë njerëz janë prekur që nga mbyllja e kampeve të Maidugurit. Ewang i tha “Al-Jazeeras” se vetëm një e katërta e këtij numri do të ishte përfundimisht pjesë e projekteve si Ngarannami.
Ka edhe rreziqe sigurie. Ndërhyrjet ushtarake nigeriane kanë neutralizuar aktivitetin e armatosur rebel në Borno kohët e fundit dhe ka paqe relative në Maiduguri, por ka pasur sulme me ndërprerje në fshatrat e largëta në rajon.
Deri në maj të vitit 2022, aktorë joshtetërorë vranë 50 njerëz në Rann, një fshat në Borno. Banorët fajësuan për sulmin “Boko Haramin”.
Në Ngarannam, Abba nuk shqetësohet për këto komplikime, të paktën tani për tani. Ai ndien mirënjohje dhe lumturi, dhe mezi pret fazën tjetër të jetës së tij.
Një portret i madh i tij zbukuron hyrjen e shtëpisë së tij të re, dhe ai ka vendosur të buzëqeshë, ndërsa argëton dashamirës në zauren e tij. “Unë e dua këtë shtëpi dhe mezi pres të jetoj këtu, të ndërtoj biznesin tim këtu, për shumë vjet në vijim”, tha ai për “Al-Jazeeran”.
Përktheu: Forca Jashari