Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shtëpia-shkollë e Afganistanit

Më shumë se një miliard dollarë janë shpenzuar në sistemin arsimor të Afganistanit, megjithëse vendi ka treguar pak shenja të përmirësimit të gjendjes në këtë sektor. Në një fshat të thellë, një burrë fikall i vetëm ka marrë përsipër që t’u ofrojë shkollim vajzave të fshatit – duke hapur një shkollë në dhomën e tij të ndejës.

Fshati Badikhel, që shtrihet në krahinën Khost në afërsi të kufirit me Pakistanin, është goxha larg kryeqytetit Kabul. Nuk është prej atyre vendeve që kanë shumë vizitorë. Por, po, aty jetojnë 250 familje, dhe Habib ul-Rahman është në mesin e tyre, shkruan KOHA. Ai është në fillim të pesëdhjetave dhe ishte pilot ushtarak para se t’i shfaqeshin probleme serioze me zemër. U kthye në fshatin e lindjes, ku bashkë me familjen e tij po e drejton një shkollë për vajza.

Piloti i kthyer në mësues

Për më tepër, mësimdhënien e ka ofruar vullnetarisht. Në klasën në sallonin e shtëpisë së tij, mirëpret më shumë se tridhjetë nxënëse në ditë. Çdo mbrëmje skajon bankat dhe karriget pranë murit dhe i shtron dyshekët për të fjetur familja.

Është një nismë private në një vend ku talebanët radikalë i kanë shtypur sistematikisht gratë, kanë mbyllur shkollat e vajzave dhe ua kanë ndaluar grave të punonin. Por sot, edhe pjesëtarët aktivë të talebanëve nga rajoni po i dërgojnë vajzat, motrat dhe mbesat në shkollën e Rahmanit. Mësuesi ia ka dalë t’i bindë edhe fshatarët që fillimisht kishin hamendje.

Edhe Dëshpërimi i vajzave të reja në Afganistan nga privimi i mundësisë për t’u shkolluar Botë 1 muaj më parë Dëshpërimi i vajzave të reja në Afganistan nga privimi i mundësisë për t’u shkolluar

Në shkollën e Rahmanit, vajzat mësojnë histori, gjeografi, studime islame dhe gjuhën amtare po ashtu, prej mëngjesit deri në vaktin e ezanit të drekës. Rahmani është mësues i urtë, fjalëpakë, por i sertë në disiplinën e punës. Nxënëset janë energjike dhe të përkushtuara, dhe shumica prej tyre kënaqen në debate për tema të ndryshme mësimore. Dhe kur të mbarojnë mësimet dhe namazi i drekës, nxënëset lëshohen dhe në Khost mbisundon qetësia.

Zyrtarisht, Qeveria afgane është në krye të qeverisjes së krahinës, por si në shumicën e zonave rurale të Afganistanit, autoriteti taleban është i kudondodhur. Gjatë regjimit taleban, nuk mund të merrej me mend shkollimi i vajzave, e aq më pak një shkollë vajzash që drejtohet nga një burrë. Por gjatë njëzet vjetëve të kaluar, kanë nisur të ndryshojnë edhe fshatrat afgane.