Botë

Shpërthime të fuqishme nga raketat ruse në Kiev

Pas disa javësh pushim nga sulmet, në kryeqytetin ukrainas, Kiev, janë ndier shpërthime të forta gjatë mbrëmjes, raportoi Reuters të dielën.

Me raketa të lëshuara nga Deti Kaspik, është goditur një objekt riparimi hekurudhor në kryeqytetin ukrainas, ka thënë shefi i ushtrisë dhe i hekurudhave të Ukrainës.

Ndonëse nuk është raportuar për të vdekur nga këto sulme, një person ka mbetur i lënduar me ç’rast është shtruar në spital, ka njoftuar kryebashkiaku Vitaly Klitschko.

“Mbrojtja ajrore ukrainase ka rrëzuar një raketë në hyrje rreth orës 6 të mëngjesit. Ajo dyshohet se ishte drejtuar për në Kiev, por ra mbi një termocentral të madh bërthamor në rajonin jugor të Mykolaivit”, ka thënë operatori shtetëror i energjisë bërthamore Energoatom në Telegram.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë se raketat e saj kanë shkatërruar tanke T-72 dhe automjete të blinduara me të cilat Ukraina është furnizuar nga vendet e Evropës Lindore, të vendosura në një objekt riparimi të makinave hekurudhore në Kiev.

Oleksandr Kamyshin, kreu i hekurudhës ukrainase, ka konfirmuar se katër raketa kanë goditur objektin e riparimit të makinës hekurudhore Darnytsia në lindje të Kievit, por mohoi të kishte pasur ndonjë pajisje ushtarake në vend.

Këto raketa janë të parat që goditën kryeqytetin që nga fundi i prillit.