Shpërthime janë dëgjuar në orët e hershme të së mërkurës në qendër të Kievit, ka njoftuar kryebashkiaku Vitali Klitschko, raporton BBC.
Klitschko ka thënë se shpërthimet kanë ndodhur në qarkun Shevchenkivskyi, zonë në qendër të Kievit.
Forcat emergjente janë dërguar në vendin e ngjarjes.
Sistemet e mbrojtjes ajrore janë aktivizuar, ka thënë guvernatori i Kievit, Oleksyi Kuleba.
Gazetarët e BBC-së kanë raportuar se kanë dëgjuar shpërthime të mëdha pak kohë pasi janë ndezur sirenat.
Rusia e ka shënjestruar infrastrukturën energjetike të Ukrainës që nga tetori. E ka goditur me raketa e me dronë.
Klitschko më vonë tha se mbrojtja ajrore ka rrëzuar 10 dronë iranian Shahed në orët e hershme të së mërkurës.
Është raportuar se copa të dronëve kanë goditur dy ndërtesa administrative në qendër të qytetit. Nuk ka raportim për viktima.
Ukraina e ka akuzuar Iranin se e ka furnizuar Rusinë me dronë “kamikazë”, të cilët janë përdorur në sulmet vrasëse më 17 tetor. Irani e ka mohuar këtë.
Irani më vonë ka pranuar se i ka dërguar Moskës sasi të vogla të dronëve “shumë muaj” para luftës.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ishte gënjeshtër dhe se shumë prej dronëve iranianë janë duke u përdorur në luftë.
Guvernatori i Kievit, Kuleba ka thënë se po operon sistemi i mbrojtjes ajrore.
“Eshtë me rëndësi të qëndrohet tash në strehimore dhe vende të sigurta. Rusia po vazhdon terrorin kundër vendit tonë. Por, ne po forcohemi çdo ditë”, tha Kuleba.