Botë

Shpërthim në një xhami në Kabul, raportohet për shumë viktima

Një shpërthim i madh ka ndodhur të mërkurën në një xhami në kryeqytetin afgan, Kabul, ka bërë të ditur policia lokale.

Shpërthimi mendohet të ketë ndodhur gjatë lutjeve të mbrëmjes.

Ekziston frika për shumë viktima, megjithëse shifrat nuk dihen ende, raportoi BBC-ka.

Khalid Zadran, zëdhënësi i policisë së Talibanëve në Kabul, u citua nga mediat lokale të ketë thënë se ka pasur një shpërthim në lagjen e 17-të të qytetit.

Raportet thonë se imami i xhamisë është në mesin e të vdekurve.

Një spital në Kabul, shkroi në Twitter se 27 persona janë "pritur në spitalin tonë deri më tani pas një shpërthimi në zonën PD17".

"Pesë fëmijë në mesin e tyre, duke përfshirë një shtatëvjeçar”, ka raportuar kjo OJQ.

Javën e kaluar një klerik i shquar pro-Taliban u vra në një shpërthim vetëvrasës me bombë, gjithashtu në Kabul. Grupi Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin.