Botë

Shndërrimi në ar i bankënotave pa vlerë të Venezuelës

Foto: Reuters

Operacionet më të suksesshme financiare të Venezuelës gjatë viteve të fundit nuk kanë ndodhur në Wall Street, por në kampet primitive të mihjes së arit në cepat më jugorë të vendit.

Derisa ekonomia shtetërore është në kolaps, rreth 300 mijë gjahtarë të thesareve kanë zbarkuar në këtë rajon të rrethuar xhungël e të pasur me minerale për ta fituar kafshatën e gojës, duke gërmuar tokën e pasur me ar nëpër miniera të improvizuara.

Çukitjet dhe lopatat e tyre po ndihmojnë në përkrahjen e qeverisë majtiste të presidentit Nicolas Maduro, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Që prej 2016-s, administrata e tij ka blerë 17 tonë të këtij metali me vlerë prej 650 milionë eurosh nga të ashtuquajturat miniera artizanale, kanë treguar të dhënat më të fundit të bankës qendrore të vendit.

Të paguar me bankënotat pothuajse të pavlera të shtetit, këta amatorë si këmbim e furnizojnë qeverinë me valutën e ngurtë për t’i siguruar importet më se të nevojshme ushqimore, si dhe produktet higjienike. Kjo tregti me arin përbën goditje për tregjet ndërkombëtare.

Me gjithë këtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës akoma po i përdorin sanksionet dhe frikësimin në përpjekjen për ta ndaluar Maduron që ta shfrytëzojë arin e vendit të tij për t’u mbajtur në pushtet.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)