Botë

Thesari sjell flori e shpresë në brigjet e Venezuelës

Kriza e thellë ekonomike e Venezuelës kishte rraskapitur një fshat të vogël e krenar peshkatarësh. Pastaj, në mënyrë misterioze, në brigje nisi të shfaqej thesari, duke reduktuar pasojat e vuajtjet e krizës

Momenti më i jashtëzakonshëm në jetën e peshkatarit të ri nisi në mënyrë krejt të zakonshme: me shkuarjen në mëngjes në tualet.

Duke ecur përreth kasolles së tij në bregun karaibian të Venezuelës, peshkatari Yolman Lares pa që diçka të praruar përgjatë bregut. U përkul dhe me dorë hallakati pak rërën e plazhit, nga ku nxori një medaljon të artë me imazhin e Virgjëreshës Maria.

Fshati Guaca dikur ishte qendër e industrisë venezuelase të peshkatarisë, por tani është reduktuar në një vend mjerimi për shkak të mungesës së benzenit dhe mbylljes së shumicës së impianteve të konservimit të peshkut. Dhe, në këtë mjerim të madh, aksesori i çmuar dukej si punë mrekullie.

“Nisa të dridhesha, po qaja nga gëzimi”, tregon Lares, 25 vjeç. “Ishte hera e parë që më ndodhi diçka e veçantë në jetë”.

Mesazh shprese

Në shtëpi, ai ia tregoi ndodhinë vjehrrit, gjithashtu peshkatar. Fjala e zbulimit të tij mori dhenë shumë shpejt dhe menjëherë më shumë se 200 banorë të fshatit dolën në gjueti thesari, duke mos lënë pa zhbiruar asnjë milimetër të bregdetit, duke bërë gjumë në varka peshkatarësh dhe duke bërë sytë katër sa herë që valët nxirrnin diçka në breg.

Prej fundshtatorit, kërkimi i tyre ka bërë që të rezultojë me gjetje të qindra copëzave të arta, të argjendta e të bronzta që kanë dalë në breg, duke lehtësuar kështu – edhe pse përkohësisht – vuajtjet e shkaktuara nga mjerimi i madh në të cilin është zhytur edhe fshati sherri i krizës së rëndë ekonomike me të cilën po përballet Venezuela socialiste.

Dhjetëra fshatarë kanë thënë se kanë gjetur nga një gjësend të çmuar, kryesisht ndonjë unazë të praruar. Madje, ka pasur raporte të pakonfirmuara se disa banorë ia kanë dalë t’i shesin unazat e tyre për 1.500 dollarë amerikanë.

Për shumë banorë të këtushëm, thesari është mesazh shprese.

“Është dora e Zotit, ai po e bën të veten”, ka thënë Ciro Quijada, punëtor në një impiant vendas të peshkut, e i cili ka gjetur një unazë në breg.

Askush nuk e di se nga erdhi floriri dhe si përfundoi në plazhin jo fort të gjerë të Guacas, zakonisht të mbushur me peshkatarë të zënë me punët e tyre të përditshme. Misteri po lidhet me interpretime folklori dhe me shpjegime që e krahasojnë ndodhinë me legjendat e piratëve të Karaibeve, me traditat e krishtera dhe me mosbesimin e madh ndaj qeverisë autoritare të Venezuelës.

Gadishulli i piratëve

Rripi përreth bregut të Guacas në gadishullin venezuelas, Paria, është i mbushur me gjire dhe me ishuj që kaherë kanë qenë strehë për aventurierët.

Ishte ky gadishull kur më 1498 Christopher Columbus do të bëhej evropiani i parë që do të shkelte në kontinentin e Amerikës Jugore, duke menduar se kishte gjetur portën e Kopshtit të Edenit.

Më vonë, ky breg jo fort i mbrojtur do të ishte pre e piratëve holandezë dhe francezë. Sot është çerdhe për trafikantët e drogës dhe naftës, por edhe për piratët e kohës moderne që i sulmojnë peshkatarët.

A mos kishte çarë stuhia ndonjë arkë të mbushur me perla të piratëve, apo mos ishte ndonjë fregatë koloniale e fundosur që ka nisur t’i nxjerrë në sipërfaqe xhevahiret? A mos është ngarkesë e trafikantëve modernë që kishin marrë udhë drejt Trinidadit? Për javë me radhë, Guaca po vlon prej spekulimeve.

Kundërshtarët e qeverisë thonë se zyrtarët mund të kenë hedhur gjësende të arta në plazh me qëllim që të ndalen protestat e banorëve vendas kundër kushteve të tmerrshme të jetesës. Të tjerët mendojnë se po të mos ishte kështu, qeveria do ta dërgonte ushtrinë për ta konfiskuar thesarin.

Bekim a mallkim?

Ka fshatarë që mendojnë se thesari është bekim, të tjerët e mendojnë si mallkim që do ta mallkojë këdo që e prek.

Kur u postua fotografia e parë e thesarit në “Facebook”, lajmi vërshoi krejt Venezuelën. Por, pandemia e koronavirusit dhe kriza e madhe e benzenit në mbarë vendin bënë që të mos kishte vërshim kombëtar të venezuelasve drejt brigjeve të fshatit Guaca.

Një test kimik i kryer nga ekipi i “New York Times-it” një zinxhiri të artë të zbuluar në plazhin e Guacas ka treguar se mund të jetë fabrikuar në Evropë në dekadat e fundit.

Testi ka treguar se zinxhiri ishte i cilësisë së lartë, prej 18 karatësh, e pazakonshme për prodhimin e perlave për tregun e brendshëm të Venezuelës. Specialisti nga Belgjika, Guy Demortier, i autorizuar për ta vërtetuar origjinalitetin e perlave, thotë se do të ishte e vështirë që perla të ngjashme të prodhoheshin me kushtet paramoderne.

Chris Corti, ekspert teknik për prodhimin e perlave, me qëndrim në Britani, ka ekzaminuar fotografitë e disa prej xhevahireve të zbuluara në Guaca dhe ka thënë se duket që janë prodhuar për qëllime tregtare në mes të shekullit njëzetë.

Por, ka thënë se duhet të bëhen analiza të mëtejme për t’u siguruar për datën dhe prejardhjen e stolive.

Flori për ushqim

Burimi i thesarit të Guacas mund të mos mësohet kurrë. Fshatarët pothuajse menjëherë i shitën aksesorët e çmuar për të blerë ushqim.

“Çfarëdo që gjejmë shkon drejt e në gojë”, ka thënë Hernan Frontado, peshkatar dhe vjehërr i Laresit, i cili është dashur t’u përgjërohet fqinjëve për “kasave”, ushqimi më i lirë i vendasve, për ta ushqyer familjen para se të gjente perla të arta.

Frontado ka shitur krejt çfarë ka gjetur në Carupano, qyteti më i afërt, me çmim më të ulët sesa vlera e parave që mendonte se i duheshin për të blerë oriz, miell dhe pasta.

Para krizës ekonomike të Venezuelës, që shpërtheu më 2014, Guaca dhe fshatrat përreth furnizonin Amerikën Latine me lloje të ndryshme peshqish të konservuar. Sot, vetëm tetë nga tridhjetë depot e mëdha të sardinës në rrethinë janë aktive. Është mbyllur edhe fabrika shtetërore për paketimin e mishit të peshkut.

Dhe mbijetesa sivjet ka qenë luftë e përditshme për banorët e fshatit. Ata janë shtrënguar që t’ia dorëzojnë qeverisë sasinë e peshkuar për të marrë pak benzen, pavarësisht se në kushte normale vlera e peshkut do të ishte shumëfish më e lartë sesa sasia e derivatit.

“Qeveria nuk lodhet fare për ne”

“Qeveria nuk lodhet fare për ne”, thekson Jose Campos, peshkatar. “Ne vazhdojmë t’i japim peshk dhe nuk marrim asgjë në këmbim”.

Laresi e ka shitur medaljonin e Virgjëreshës Maria për 125 dollarë. Me ato para u ka blerë fëmijëve bukë të nxehta. Tashmë po e ushqen familjen dy herë në ditë. Djali i tij i vogël, dy vjeç, ka nisur të shtojë peshë, megjithëse vazhdon të mos ngopet me ushqim. Thesari i gjetur në breg nuk ia ka ndryshuar jetën, por ia ka kujtuar se edhe në ditët më të zeza të jetës mund të ndodhin gjëra të mira.

Disa muaj pas zbulimit të thesarit në brigje, banorët e Guacas ende po gjejnë herë pas here gjësende të çmuara prej ari. Në perëndim të diellit, kur qetësia mbretëron në plazh, disa banorë shihen duke hallakatur me sytë katër në rërë. I shikojnë me kujdes shuplakat, derisa shkundin rërën.

“Nëse ngjau njëherë”, thotë Lares, “do të ngjajë përsëri”.