Turneu disaditor i presidentit amerikan, Donald Trump, në rajonin e Lindjes së Mesme ka prodhuar rrethana të reja gjeopolitike, e që rrjedhimisht i kanë dhënë formë një rendi të ri rajonal me Arabinë Saudite dhe shtetet e tjera sunite në qendër. Sipas Reuters, pozita e Izraelit në këtë rend të ri lë shumë për të dëshiruar, pasi që Qeveria e kryeministrit, Benjamin Netanyahu, ka vendosur të izolojë vetveten dhe të krijojë çarje në raportet me aleatin e kahershëm të saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Asgjë nuk e përshkruan më mirë izolimin e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, sesa imazhi i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke i shtrënguar duart me presidentin e përkohshëm të Sirisë, Ahmed al-Sharaa, një person që vlerësohet nga Izraeli si “terrorist i Al-Kaedës i veshur me kostum”.
“Ai ka potencial. Ai është burrështetas i vërtetë”, ka thënë Trumpi për al-Sharaan, pas takimit me të, javën që shkoj në Riad të Arabisë Saudite, që u bë i mundur nga homologu i tij saudit, me të cilin presidenti amerikan nënshkroi disa marrëveshje në armatim, biznes dhe në teknologji.
Turneu katërditor i Trumpit në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishte më shumë sesa një spektakël diplomatik i shoqëruar nga marrëveshje frytdhënëse për investime.
Mbi të gjitha, ky turne betonoi një rend të ri në Lindjen e Mesme që udhëhiqet nga shtetet sunite – një rend që si i tillë eklipson boshtin e rezistencës së Iranit, si dhe e lë Izraelin anash, sipas disa burimeve të afërta me agjencinë e lajmeve Reuters.
Në kuadër të frustrimit gjithmonë e në rritje të Washingtonit me dështimin e Izraelit për të arritur një marrëveshje të armëpushimit në Gaza, turneu i Trumpit e injoroi plotësisht Netanyahun, aleatin e ngushtë të Amerikës i cili ishte lideri i parë i huaj që e vizitoi Washingtonin pas rikthimit të Trumpit në muajin janar.
Mesazhi ishte kristal i pastër: në vizionin më pak ideologjik, dhe më të prirë për rezultate të diplomacisë së Trumpit në Lindjen e Mesme, Netanyahu nuk mund të varej më nga mbështetja e pakushtëzuar e SHBA-së për agjendën e tij të orientuar nga e djathta në kuptimin ideologjik.
“Kjo administratë është shumë e frustruar me Netanyahun dhe ky frustrim po tregohet”, ka thënë David Schenker, ish-zyrtar për çështjet e Lindjes së Afërt nën mandatin e ish-presidentit republikan George W. Bush.
“Ata funksionojnë vetëm dhe vetëm përmes marrëveshjeve ku fitojnë diçka, dhe Netanyahu nuk po iu ofron asgjë për momentin”, ka thënë ai.
Burime të afërta me Reutersin kanë bërë të ditur se SHBA-ja nuk do t’ia kthejë shpinën Izraelit, dhe se ai vazhdon të mbesë aleati më vital e më i rëndësishëm i Amerikës, mbështetja për të cilin i ka rrënjët e thella dhe është dypartiake.
Mirëpo qëllimi i administratës së Trumpit ishte që të përçohet një mesazh në drejtim të Netanyahut, për t’ia bërë me dije se SHBA-ja ka interesat e saj në Lindjen e Mesme dhe nuk parapëlqen që ai ta bllokojë rrugën e tyre, kanë shtuar burimet.
Humbja e durimit nga SHBA-ja nuk e ka burimin vetëm prej refuzimit të kryeministri izraelit për të negociuar armëpushimin në Gazë, por gjithashtu nga kundërshtimi i këtij të fundit me fillimin e bisedimeve bërthamore mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Zyra e Netanyahut ka refuzuar t’u përgjigjet thirrjeve për komente. Gjithashtu nuk ka lëshuar ndonjë deklaratë publike sa i përket vizitës rajonale të Trumpit.
Një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, ka theksuar se Trumpi është mik i Izraelit.
“Ne vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatin tonë, Izraelin, për të garantuar që pengjet e mbajtura në Rripin e Gazës të lirohen, që Irani të mos zhvillojë armë bërthamore, dhe të forcohet siguria rajonale në Lindjen e Mesme”, ka thënë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, James Hewitt.
Teksa publikisht këmbëngulet se marrëdhëniet SHBA-Izrael mbesin të forta, zyrtarët e administratës së Trumpit kanë shprehur privatisht nervozizmin e tyre me kokëfortësinë e Netanyahut për t’u rreshtuar me politikat e Washingtonit mbi Gazën dhe Iranin, sipas burimeve të afërta me çështjen.
Gjashtë burime rajonale dhe njëkohësisht burimet perëndimore kanë bërë të ditur se çarjet mes SHBA-së dhe Izraelit kanë ekzistuar edhe para turneut rajonal të Trumpit.
Tensioni e ka zanafillën në udhëtimin e Netanyahut drejt Washingtonit për vizitën e tij të dytë në prill, tek kishte kërkuar mbështetjen e Trumpit për sulme ushtarake kundër bazave nukleare të Iranit, vetëm e vetëm për të zbuluar, për habinë e tij, se Trumpi preferon qasje më diplomatike.
I njohur për qëndrimet e tij të palëkundura kundër Iranit, Netanyahu u kap në befasi, kur e mori vesh disa orë para takimit të tij me presidentin amerikan se negociatat do të fillonin.
Gjatë javëve në vazhdim, deklarata e Trumpit për armëpushim me grupin militant Houthi në Jemen, normalizimi i raporteve me lidershipin e ri islamik të Sirisë dhe lënia anash e Izraelit në kuadër të vizitës së tij në rajon, tregon se marrëdhëniet tradicionalisht të ngushta kanë pësuar çarje të dukshme.
David Makovsky, hulumtues në “Institutin e Washingtonit”, ku ai drejton një projekt mbi marrëdhëniet arabo-izraelite, ka thënë se Washingtoni zyrtar dhe Tel-Avivi “nuk duket se janë më në përputhje sa i përket çështjeve madhore, të paktën jo siç ishin në 100 ditët e para të presidencës së Trumpit”.
Gaza si pika prerëse
Gjatë fushatës elektorale, Trumpi e bëri të qartë se dëshironte një armëpushim në Rripin e Gazës dhe lirimin e të gjitha pengjeve para se ai të kthehej në Shtëpinë e Bardhë.
Mirëpo, disa muaj pasi Trumpi u betua president për herën e dytë, Netanyahu ka vazhduar të kundërshtojë thirrjet për armëpushim, rrjedhimisht duke zgjeruar ofensivën ushtarake, si dhe nuk ka ofruar ndonjë plan të pasluftës. Numri i të vdekurve në Gazë ka tejkaluar shifrën 52,900 në ditët e fundit, sipas zyrtarëve lokalë shëndetësorë.
Lufta – e cila ka nxitur reagim ndërkombëtar për shkak të krizës humanitare në Gaza – kishte filluar si pasojë e sulmit të grupit militant Hamas në Izrael, më 7 tetor të vitit 2023, nga i cili mbetën të vrarë afro 1,200 persona dhe u kapën rreth 250 pengje.
Çdo shpresë, se vizita rajonale e Trumpit do të betononte imazhin e tij si paqebërës dhe do të shpallte fundin e luftës shkatërrimtare, përfundimisht u shua.
Përkundrazi, Netanyahu – i cili akuzohet për krime lufte në Gaza prej Gjykatës Ndërkombëtare Penale – ka ripërsëritur qëllimin e tij për të shkatërruar Hamasin. Netanyahu ka dalë po ashtu para gjykatës në Izrael në lidhje me akuzat për korrupsion, të cilat i mohon plotësisht.
Paralelisht me përfundimin e vizitës së Trumpit, Izraeli zgjeroi ofensivën ushtarake në Rripin e Gazës. Deri më tani, sulmet ajrore kanë vrarë qindra palestinezë në ditët e fundit.
Prioriteti tjetër i Trumpit - zgjerimi i Akordeve Abrahamike (një seri marrëveshjesh historike për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe disa vendeve arabe, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, veçanërisht gjatë administratës së presidentit Trump) që mundësojnë normalizimin e raporteve ndërmjet Izraelit dhe shteteve arabe, përfshirë Arabinë Saudite – është bllokuar po ashtu nga mosgatishmëria e Netanyahut.
Riadi zyrtar e ka bërë të qartë se nuk do t’i normalizojë raportet me Izraelin derisa lufta të përfundojë dhe të përgatitet terreni që dërgon në krijimin e shtetit të ri palestinez, gjë që kundërshtohet nga Netanyahu.
“Ai s’ka kurrfarë strategjie, asnjë plan të pasluftës për Gazën”, ka thënë Schenker.
Publikisht, vetë Trumpi ka mohuar pretendimet rreth prishjes së raporteve. Në një intervistë për transmetuesin amerikan, Fox News, Trumpi ka deklaruar se nuk është i frustruar me Netanyahun, për të cilën po ashtu shtoi se po ballafaqohet me “një situatë të vështirë” sa i përket luftës në Gazë.
Megjithatë, Trumpi po ecën përpara pa Netanyahun. Duke ndjekur interesin kombëtar, presidenti amerikan po i prin një riorganizimi të diplomacisë amerikane në drejtim të shteteve sunite, të kryesuara nga Riadi i pasur me naftë.
Një burim rajonal ka thënë se vizita e presidentit amerikan e ka kurorëzuar rolin e Arabisë Saudite si lider i botës arabe sunite. Në anën tjetër, vitet e tejkalimit iranian – dhe goditjet e rënda ushtarake të Izraelit ndaj grupeve militante të tij si Hamasi në Gaza dhe Hezbollahu në Liban – e kanë tkurrur fuqinë rajonale shiite të Iranit.
“Irani e kishte rolin kryesore; tanimë Arabia Saudite ka hyrë në lojë me mjete të tjera: ekonomi, para, investime”, ka thënë burimi rajonal i lartcekur.
Rritja sunite
Pavarësisht se Netanyahu udhëhoqi betejën kundër Iranit, rendi i ri rajonal është duke u ndërtuar nga Riadi, Doha dhe Abu Dhabi.
Këto monarki të Gjirit Persik janë të prira të zotërojnë armët më të sofistikuara, që i mbrojnë ato nga sulmet e Iranit dhe grupeve të tij satelite, si dhe të sigurojnë blerjen e çipave amerikanë dhe teknologjisë së inteligjencës artificiale.
Ato kanë gjetur një partner të gatshëm e të besueshëm në presidentin amerikan, politika e jashtme e të cilit ndonjëherë mund të përzihet me interesat financiare të familjes së tij.
Në Katar, gjatë fazës së dytë të turneut të tij, Trumpit iu ofrua një avion luksoz i kompanisë Boeing, dhe u mirëprit me bujë mbretërore që i ka hije një monarku. Mes një ceremonie luksoze, vallëzimeve me shpata, një parade kalorësie dhe një banketi mbretëror, Trumpi pati deklaruar se Katari - i cili ka ofruar mbështetje të madhe financiare për Hamasin - ishte “absolutisht duke u përpjekur të ndihmonte” me krizën izraelite të pengjeve.
Deklarata e Trumpit u prit me nervozizëm në Tel-Aviv, teksa zyrtarët izraelitë e shohin Dohën si financuesin kryesor të njërit prej armiqve të tyre të përbetuar.
Shumë izraelitë “nuk e kuptojnë sesa qendror është bërë Katari për Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Yoel Guzansky, një anëtar i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Universitetin e Tel Avivit, tek ka nënvizuar se vendi ka bazën më të madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.
Përderisa lidhjet e Katarit me Hamasin përbëjnë kërcënim për Izraelin, burimet e gazit natyror, fuqia financiare dhe ndikimi diplomatik e kanë kthyer monarkinë në aleat të domosdoshëm të Washingtonit, ka shtuar Guzansky.
Në total, Shtëpia e Bardhë ka llogaritur se turneu ka siguruar më shumë se 2 trilionë dollarë në investime për ekonominë amerikane – përfshirë porositë e shumta për avionët e kompanisë Boeing, marrëveshjet për të blerë pajisje ushtarake të prodhuara në SHBA, dhe marrëveshjet e ndryshme në fushën e teknologjisë.
Një përllogaritje e Reutersit e vendos vlerën e marrëveshjeve të nënshkruara në rreth 700 miliardë dollarë.
Në Arabinë Saudite, Trumpi u dakordua për një marrëveshje rekorde të armatimit me Riadin zyrtar, në vlerë prej 142 miliardë dollarëve. Këto lëvizje shkaktuan frikë se Izraeli mund të humbasë superioritetin e tij ajror në rajon, nëse Arabia Saudite siguron avionë ushtarakë “Lockhead F-35”.
Njëkohësisht, në një riorganizim të marrëdhënieve SHBA-Arabi Saudite, Trumpi u ka ofruar sauditëve liri të veprimit, në kuadrin e normalizimit të raporteve me Izraelin, tek iu ka thënë udhëheqësve të këtij vendi se mund të përcaktojnë kohën e duhur për ta bërë këtë.
Aktualisht, Trumpi po negocion investime në energjinë bërthamore për qëllime civile të udhëhequra nga SHBA-ja për Arabinë Saudite – tjetër marrëveshje kjo që ka nxitur shqetësim në Izrael.
Shtetet sunite gjithashtu kanë shtyrë përpara agjendat e tyre. Njoftimi i befasishëm i Trumpit gjatë turneut të tij se do të hiqte sanksionet ndaj Sirisë – ndryshim ky madhor në politikën amerikane – ndodhi si rezultat i rekomandimit të Arabisë Saudite dhe i anashkalimit të pakënaqësisë së Izraelit.
Deri në muajin dhjetor të vitit që shkoi, kur Sharaa rrëzoi regjimin e autokratit Bashar al-Assad, Washingtoni kishte një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për ta kapur atë.
Vendet e Gjirit kanë vlerësuar po ashtu vendimin e Trumpit për ndërprerjen e luftimeve me rebelët Houthi në Jemen, pjesë e boshtit të rezistencës së Iranit, e cila u dha fund operacioneve të kushtueshme ushtarake të SHBA-së në Detin e Kuq. Lajmërimi, i cili pasoi hapjen e bisedimeve nukleare me Iranin, u bë dy ditë pasi një raketë e Houthive kishte goditur aeroportin e Ben Gurionit në Izrael.
“Izraeli po duket çdo herë e më shumë si një prishës, i cili qëndron jo vetëm në rrugën e SHBA-së, por të gjithë komunitetit ndërkombëtar, teksa përpiqet të riformësojë rajonin sipas shëmbëlltyrës së vetë pas rënies së regjimit të Assadit dhe Hezbollahut, dhe ndoshta t’i jap fund luftës në Gazë”, ka thënë Guzansky, ish-koordinator i çështjeve të Iranit dhe Gjirit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Izrael.
Teksa qeveria djathtiste e Netanyahut vazhdon të ruajë qetësinë kur bie fjala te vizita e Trumpit, mediat në Izrael kanë ngritur zërin se marrëdhënia e vendit me aleatin e tij më të rëndësishëm është gërryer.
Opozitarët e kanë kritikuar kryeministrin se po lejon që Izraeli të mbesë i anashkaluar, ndërsa aleancat e vjetra po rikonfigurohen.
Ish-kryeministri izraelit, Naftali Bennett, që po përgatitet të rikthehet në skenën politike, ka lëshuar një akuzë të ashpër ndaj qeverisë së Netanyahut, duke shpërfaqur ndjenjën alarmuese që veçse e ka kapluar shumicën e elitës politike dhe të sigurisë në Izrael.
“Lindja e Mesme po përjeton ndryshime tektonike para syve tanë, armiqtë tanë po bëhen akoma e më të fortë, ndërsa Netanyahu ... dhe klika e tij janë të paralizuar, pasivë, sikur nuk ekzistojnë fare”, ka thënë ish-kryeministri dhe ish-ministri i Mbrojtjes përmes një postimi në rrjetin social X.