Botë

Shkencëtarët në kërkim të akullit 1.5 milion vjet të vjetër

Një ekip italianësh dhe francezësh kanë nisur shpimet në Antarktik për të gjetur dhe studiuar shtresën e akullit që besohet se është e vjetër 1.5 milion vjet.

Pas disa ditësh shpimesh, ekipi i prirë nga Carlo Barbante, ka arritur në thellësinë prej 130 metrash.

Barbante, drejtor i Institutit për Shkencat Polare në Këshillin Kombëtar për Hulumtime në Itali, thotë se qëllimi është të arrihet në thellësi prej 2 mijë e 700 metrash.

Projekti “Beyond Epica” synon të gjejë mostra të akullit, të cilat do të jenë vendimtare për të vlerësuar trendët e klimës dhe krijimin e një strategjie të re në betejën kundër ndryshimeve klimatike.

“Vetëm disa qindra metra prapa meje, kemi vendin e projektit që ka nisur shpimet në 2 mijë metra thellësi. Kjo thellësi ka historinë e klimës sonë gjatë 800 mijë vjetëve të fundit. Tregon temperaturën dhe emetimin e gazrave serrë. Gjithashtu tregon se ne kurrë nuk kemi arritur nivel të lartë të këtyre gazrave si në 100 vjetët e fundit”.

Projekti është i sponsorizuar nga Komisioni Evropian me 11 milionë euro. Krejt procesi do të zgjasë shtatë vjet.

Baza e shpimeve gjendet në majën e Little Dome në Antarktik që ka 3 mijë e 200 metra lartësi.

Temperaturat në bazën e shpimeve janë nga minus 30 deri në minus 60 gradë Celsius.

“Në dy javët e fundit temperaturat kanë arritur në minus 60 gradë Celsius. Janë kushte ekstreme të punës. Po planifikojmë që të përdorim shpimet me tuba të gjatë, të cilët do të na ndihmojnë të nxjerrim akullin e thellësisë deri në pesë metra”.

Pjesa e parë e projektit që u zhvillua mes viteve 1996-2005, ishte quajtur “Epica” dhe nxori mostra të akullit të vjetër deri në 800 mijë vjet.

“Shpejtësia e shpimit do të jetë 170 metra çdo javë. Synojmë që të arrijmë thellësinë e 2 mijë e 700 metrave në këto katër vjetët e ardhshme. Qëllimi i këtij viti është që të përfundojmë kampin, të instalojmë mjetet e shpimit dhe të shkojmë çdo dyqind metra”.

Pas katër vjetësh, hulumtuesit shpresojnë të gjejnë akullin 1.5 milion vjet të vjetër.